Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim, pasi kishte kryer një vrasje në vitin 2016, është ndaluar nga policia e Durrësit.
Mësohet se Gëzim Kajno ka vrarë shtetasin Asllan Kërtusha në lokalin e tij, pasi ky i fundit ishte i dehur dhe shqetësonte klientët dhe nuk pranonte të largohej nga lokali.
Si pasojë, Kajno ishte dënuar me 10 vite burg, nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet.
Njoftimi i Policisë:
Autor i një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në vitin 2016, ndalohet 39-vjeçari i shpallur në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim.
Nga ky dënim, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet burgim.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç.
Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet.
Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin A. K..
Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al