Ndërmjetësi për çështjen e emrit mes Athinës dhe Shkupit, Mattheë Nimitz u ka bërë thirrje palëve që të kapin momentin për arritjen e një marrëveshjeje. Nga kryeqyteti helen, Nimitz ka vlerësuar qasjen e palës greke.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë, Mattheë Nimiç ka vizituar këtë të martë Athinën, prej nga ka deklaruar se palët duhet të kapin momentin e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Nimiç ka thënë se dy palët po tregohen më aktive se kurrë, ndaj është koha e duhur për të tejkaluar çerek shekulli përplasjesh.
“Të gjithë e dinë se cilat janë çështjet. Është koha për vendimmarrje dhe unë mendoj se jemi pranë paktit”, ka deklaruar Nimitz. Pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ndërmjetësi i OKB-së që prej vitit 1999 ka vlerësuar qasjen “e sinqertë” të Athinës për gjetjen e zgjidhjes së problemit.
“Mendoj se këtu ka vullnet, e po ashtu edhe në Shkup, për të arritur një marrëveshje”, ka vijuar Nimitz. Më herët gjatë muajit, Nimitz bëri disa propozime për emrin e ri të ish-republikës jugosllave.
Ato janë: Republika e Maqedonisë së Re, Republika e Maqedonisë së Epërme, Republika e Maqedonisë Veriore, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Shkupi./abcnews.al