Një i dënuar me burgim të përjetshëm ka humbur jetën këtë të hënë në Spitali Rajonal Korçë, pasi u transportua me urgjencë për shkak të problemeve shëndetësore.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 09:40, në spital u dërgua i dënuari Hysni Repaj, i datëlindjes 15 janar 1962, lindur dhe banues në Shkodër. Ai vuante dënimin për veprat penale “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Gjatë vuajtjes së dënimit, Repaj ishte trajtuar edhe për probleme të shëndetit mendor nga mjeku psikiatër.
Gjatë një kontrolli mjekësor të kryer në institucionin e vuajtjes së dënimit, mjeku konstatoi përmes oksimetrit se i dënuari kishte rrahje të ulëta të zemrës (bradikardi), çka bëri të nevojshëm dërgimin e menjëhershëm në spital për trajtim më të specializuar.
Megjithatë, gjatë ekzaminimeve në spital, gjendja e tij u përkeqësua, duke kaluar në arrest kardiak respirator. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë.
Për ngjarjen janë njoftuar organet përkatëse, përfshirë Prokurorinë dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHKKB), ndërsa pritet vijimi i procedurave për zbardhjen e plotë të rrethanave.


