Është zbardhur ngjarja kriminale e ndodhur më 14 janar të këtij viti, ku një grup personash në tentativë për t’i shpëtuar patrullës kanë qëlluar me armë zjarri ndaj policisë.
Ngjarja u shënuar pak para mesnatës të 14 janarit. Një makinë tip “Benz” është tentuar të ndalohet nga një patrullë në zonën e Qafë Kasharit. Drejtuesi i makinës nuk është bindur dhe është larguar në drejtim të Fushë Krujës. Në këtë makinë raportohet se ndodheshin Ibrahim Difaj, Shpëtim Kraja dhe shtetasja E. V.
Në tentativë për t’u larguar, mjeti është përplasur më një bordurë dhe personat që ndodheshin në mjet, kanë dalë duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë dhe duke përfituar nga errësira janë larguar duke braktisur mjetin.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të lënduar, ndërsa makina rezultoi që ishte me targa të vjedhur nga një automjet tjetër në Tiranë.
Lidhur me këtë ngjarje policia njofton se janë arrestuar, Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin dhe është shpallur në kërkim Shpëtim Kraja, 35 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë E. V., 30 vjeçe, banues në Kurbin është vënë nën hetim.
/abcnews.al/