10 persona do të përballen në Gjykatën e Posaçme me akuzat e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, grup i strukturuar kriminal dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm.
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për një grup kriminal i cili ka trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga vendet e Amerikës Latine dhe nga Shqipëria drejt Bashkimit Evropian.
Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata.
Hetimi i SPAK që çoi në goditjen e këtij grupi, erdhi pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky Eç, materiale që iu vunë në dispozicion strukturës së posaçme nga autoritetet e drejtësisë franceze, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.
8 episode të trafikut të drogës u dokumentuan nga prokuroria përgjatë periudhës 2020-2021, ku të pandehurit trafikuan lëndë narkotike nga Brazili e Ekuadori në drejtim të porteve të Italisë dhe Holandës, apo nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe Gjermanisë.
Konkretisht u dokumentua trafikimi i 3635 kg kokainë, 2 kg lëndë heroinë dhe 701 kg bimë narkotike kanabis.
Sipas Spak, drejtuesit dhe financuesit e veprimtarisë se paligjshme të trafikut të drogës ishin Musa Gjikola, Jani Meçja, Selami Lushka, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo Çadri ndërsa , Arian Gjata , Ledri Lulashi, Sokol Masha, dhe Akil Alushi, kanë pasur rolin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të paligjshme. Këta të dy te fundit ndihmuan edhe 55 sirianë të kalonin kufirin nga Shqipëria drejt Italisë.
Hetimi për këtë çështje vijon ende nga SPAK në një procedim të ndarë, për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.



