EMRAT/Operacioni i koduar “Ypsilon”, shisnin lëndë narkotike në Berat, arrestohen dy persona

schedule09:36 - 3 Dhjetor, 2022

schedule 09:36 - 3 Dhjetor, 2022

Është finalizuar operacioni policor i koduar “Ypsilon”.  Policia ka arrestuar në Berat dy persona, Sokol Gjecin dhe Kledjan Demajn, pasi bashkëpunonin për të shitur lëndë narkotike.

Sakaq, i janë sekuestruar dhjetëra doza kokaine, 2 automjete, aparate celulare dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Berat, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.

Vihen në pranga 2 shtetas që bashkëpunonin për shitjen e lëndëve narkotike, në doza.

Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine, 2 automjete, aparate celulare dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disamujor, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për dy shtetas që shpërndanin lëndë narkotike, në qytetin e Beratit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Ypsilon”, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– S. Gj., 42 vjeç dhe K. D., 22 vjeç, të dy banues në Berat.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 85 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, 5 aparate celulare dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Gj. bashkëpunonte me shtetasin K. D., për shpërndarjen e dozave të kokainës dhe të kanabisit, në zona të ndryshme të Beratit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al