DURRËS- Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për gjashtë inspektorët e Policisë të Portit të Durrësit, të cilët në bashkëpunim mes tyre lejonin kalimin e personave që u ndalohej udhëtimi në zonën Shengen. Ata janë mbajtur nën hetim për disa kohë, ndërsa nga hetimet rezulton se ata merrnin shumë parash që varionin nga 50-100 euro në këmbim të një vule.
Njoftimi i arrestimit:
Më datë 21.02.2023, Drejtoria e Hetimit pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest me burg” për punonjësit e policisë:
1- Inspektor Kalosh Sula
2- Inspektor Luan Çelaj
3- Inspektor Marsel Farruku
4- Inspektor Naim Kadrimi
5- Inspektor Isametin Vranezi
6- Inspektor Eduart Matmuja
Ekzekutimi i masave të sigurimit u krye në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”.
Nga hetimet e kryera rezulton se punonjësit e mësipërm të policisë, duke keqpërdorur atributet që u jep detyra në P.K.K Port Durrës, lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro. Këto ndërverime korruptive të dokumentuara gjatë hetimeve, kryheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur, duke përfshirë raste të lejimit të kalimit të shtetasve të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, apo automjeteve që nuk i nënshtroheshin regjimit doganor.
Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.