Emrat intrigues në merkato, të reja për Manuel Neuer dhe Luka Modric

schedule09:41 - 27 Mars, 2020

schedule 09:41 - 27 Mars, 2020

Manuel Neuer dhe Luka Modric në qendër të vëmendjes. Dy lojtarë që kanë fituar shumë në karrierën e tyre, por e ardhmja e tyre është në udhëkryq. Portieri i kombëtares gjermane ka biseduar së fundmi me Bayern Munchen, por palët nuk kanë rënë dakord për kohëzgjatjen e kontratës.

Neuer, që sot ka mbushur 34 vjeç, kërkon një marrëveshje afatgjatë dhe bavarezët janë të kujdesshëm me pagesat, sidomos në këtë moment. Gjithsesi portieri ka treg ende, pasi ka treguar se mund të japë akoma shumë në fushën e blertë.

BILD e lidh emrin e tij me Chelsea, pasi trajneri Frank Lampard nuk është i kënaqur me Kepa Arrizabalaga, për të cilin londinezët paguan rreth 80 milionë euro te spanjollët e Athletic Bilbao.

Tani të kthehemi te Luka Modric, mesfushori kroat i Real Madrid. Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2018 ka kontratë me madrilenët deri në qershor të vitit 2021 dhe në kampion spanjoll janë të dyzuar nëse duhet të nënshkruajnë një kontratë të re, apo ta shesin.

Këtë sezon Modric ka pasur probleme dëmtimesh, ndërkohë që në shtator bën 35 vjeç. Me Realin që është në dilemë, sipas MARCA, mesfushori do të duhet ta shohë mirë ofertën e Inter Miami dhe të provojë një eksperiencë të re në MLS, në klubin e David Beckham. /abcnews.al