Një punonjës banke, një gardist dhe katër persona të tjerë menduan të bënin ca para duke vjedhur me dhunë një biznesmen në Tiranë pasi kishin informacion për shumat e parave që ai mbante cash në shtëpi.
Por, plani i tyre dështoi për shkak se biznesmeni i zbuloi duke njoftuar policinë.
Grupi u zbulua dhe policia filloi arrestimet. Katër prej tyre janë arrestuar sot, një tjetër pak ditë më parë me akuzën e vënies së tritolit në një lokal në Tiranë, ndërsa i fundit është shpallur në kërkim.
Lexo edhe: EMRAT/ Arrestohen 6 persona në Tiranë, krimi i rëndë që kryen
Të arrestuarit siguronin informacion për lëvizjet e parave që bënte biznesmeni nga njëri prej anëtarëve të grupit të të arrestuarve.
Abcnews.al mëson se Andi Kraja, njëri prej të kapurve nga policia është agjent kredie në një prej bankave të nivelit të dytë në Tiranë, ndërsa Aleks Kala, punonjës i Gardës së Republikës.
Të arrestuarit e tjerë janë Spartak Qoku, Petro Sava, Emel Hajdaraj dhe Klaudio Metaj, ndërsa më herët u arrestua Franci Alimi, i cili kishte marrë pjesë në grabitjen e dështuar.
Ky i fundit u kap nga policia pasi i vuri tritolin një lokali në Tiranë duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Siç raporton abcnews.al, grupi e dinte sa para kishtë në shtëpi biznesmeni Endri Mosko dhe ishin bërë gati që t’i vidhnin paratë. Mirëpo, biznesmeni ka kuptuar praninë e tyre duke bërë që grabitësit të dështonin në planin e tyre.
Ky është rasti i dytë kur një punonjës banke përfshihet në një ngjarje kriminale në lidhje me paratë e klientëve të tyre. Më herët, punonjësi i një banke u arrestua me akuzën e vjedhjes së parave nga llogaria e klientit. /abcnews.al