Emocionet e një jete/ Helena rrëfen Kadarenë dhe jetën artistike të shkrimtarit

schedule21:31 - 1 Korrik, 2024

schedule 21:31 - 1 Korrik, 2024

SHQIPËRI- Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare mëngjesin e kësaj të hëne duke lënë pas një trashëgimi të vyer në letërsi dhe kulturën shqiptare në tërësi.

Por si ishte Ismail Kadare, përtej stofit të shkrimtarit?

Në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, në moderimin e gazetares Leontina Nika, shkrimtarja Helena Kadare në shkurt të 2023 ka rrëfyer njohjen me bashkëshortin, Ismail Kadare dhe fillimet e tyre.

“Ka qenë te gazeta ‘Zëri i Rinisë’, kur kam botuar një tregim dhe Ismaili ishte në Moskë student dhe atje vinin gazetat e Shqipërisë, te një hotel Moska siç më ka thënë dhe një herë në javë vinin me Dhimitër Xhuvanin merrnin gazetat e Shqipërisë edhe atje pa këtë tregimin dhe më bën një letër, sepse më njihte nga Dhimitër Xhuvani. I thoshte është aq romantike sa ti po ti shkruash dy fjalë do të përgjigjet menjëherë. Dhe kështu ndodhi shkroi dy rreshta që ‘tregimi jot më pëlqeu shumë, shkruaj dhe mos u trembi, Ismail Kadare.

Dhe unë sigurisht iu përgjigja. Ai tre rreshta unë katër faqe. Ai ka marrë një çmim Republike atë kohë dhe gjithë banka ime u mbush me fotografitë e tij që m’i dërgonin shokët e shoqet e klasës se e dinin se sa shumë e apasionuar isha unë pas poezive të tij”.

E pyetur se pas sa kohësh u takuan, Helena zbuloi:

“Pas një viti apo disa muajsh. E takoj në rrugë me kushëririn tim Nasho Jorgaqi. Dhe më dha numrin e telefonit, atij kushëririt tim nuk i pëlqeu kjo gjë, sepse më ftoi ‘do vish tha se unë kam shumë xhirime filmash të vjetër në Moskë hajde në shtëpinë time t’i shikojmë bashkë’. Dhe kjo gjë nuk i pëlqeu kushëririt. Ne nuk kishim as telefona në atë kohë, mbaj mend që më dha numrin dhe vetëm drejtoresha e konviktit kishte telefon. Atëherë të gjitha shoqet e mia, ruanin drejtoreshën, e mbanin me muhabet jashtë që unë hyra në drejtori dhe i formova numrin, që mora vesh ku duhet të shkoja. Kisha jashtëzakonisht emocione”.

Më tej, ajo ka deklaruar se Ismaili ka ndikuar shumë edhe në stilin e saj në të shkruar, pasi është bërë më e rezervuar, ndryshe nga fillimet kur ka qene më naive.

“Stili im nuk ka ndryshuar, unë u tregova më e kujdesshme. Pa prezencën e Ismailit mund të kisha shkruar shumë më tepër, njohja dhe afrimi me të, më bëri që të isha më e rezervuar nga tmerri se mos nuk i pëlqeja atij. Sepse në atë kohë isha shumë naive në shkrimet e mija, që ato quhen naivitet dhe sinqeritet. Nga tmerri mos gjykohesha keq në sytë e tij, u bëra më e përmbajtur dhe jo gjë që shkruaja e botoja apo ja tregoja atij. Se ai një lëvizje të fytyrës të bënte, unë e zhdukja në moment. Nuk dilte ajo gjë. E vetmja vlerë për mua ishte shikimi i tij mbi atë që unë bëja”, tha Helena./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!