Emmanuel Macron mund t’i japë fund kërcënimit të luftës në Evropë vetëm me një fjali

schedule12:53 - 22 Janar, 2022

schedule 12:53 - 22 Janar, 2022

Nga Anatol Lieven “Responsible Statecraft

Presidenti francez Emmanuel Macron, mund t’i japë fund kërcënimit aktual të luftës në Evropë me vetëm një fjali:”J’ai dit:Non” (Unë kam thënë:Jo). Këto ishin fjalët e paraardhësit të tij madhështor, presidentit Charles de Gaulle, kur ai njoftoi në vitin 1963 se kishte vënë veton (siç po shihet tani me të drejtë) kundër aplikimit të Britanisë për t’iu bashkuar Tregut të Përbashkët Evropian.

Në kontekstin aktual, Macron mund t’i përdorë këto fjalë për të deklaruar se do të vendosë veton, dhe ai pret që pasardhësit e tij të vënë veton ndaj çdo aplikimi ukrainas për t’u anëtarësuar në NATO.

Sigurisht ky do të ishte një akt simbolik, pasi askush nuk mendon vërtet se Ukrainës mund t’i ofrohet anëtarësimi në NATO në një të ardhme të afërt. Për më tepër Macron nuk mund t’i diktojë veprimet pasardhësve të tij.

Gjithsesi do të ishte një simbolikë shumë e fuqishme, pasi do të sinjalizonte vendosmërinë e Francës, të vetmes fuqi të rëndësishme ushtarake që ka mbetur në Bashkimin Evropian, për të mos e zhytur Evropën në një konflikt të panevojshëm me Rusinë.

Nga ana tjetër, ajo do të bashkonte më në fund publikun evropian rreth idesë së marrjes së më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit të tyre. Kjo ide do të hidhte themelet e një arkitekture të re të sigurisë evropiane, duke përfshirë Rusinë, dhe do t’i hapte rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të ndryshme të pazgjidhura rreth kufijve të NATO-s dhe BE-së.

Një nismë franceze përgjatë këtyre linjave, do të sillte më në fund njëfarë ndershmërie dhe qartësie në debatin perëndimor mbi Ukrainën, i karakterizuar deri më tani nga mashtrimi, vetë-mashtrimi dhe hipokrizia.

Sepse Perëndimit i mungon tërësisht jo vetëm vullneti dhe forcat ushtarake për ta mbrojtur Ukrainën, pavarësisht nëse ajo apo do të hyjë apo jo në NATO (duke pasur parasysh rekordin e mjerueshëm të polakëve, hungarezëve, rumunëve dhe bullgarëve që nga anëtarësimi në BE dhe NATO).

Por në Evropën Perëndimore nuk ka absolutisht asnjë vullnet për të bërë ndonjë lëvizje serioze drejt anëtarësimit të Ukrainës në BE. Presidenti Macron e ka nisur mirë me deklaratën e tij të kësaj jave (që shënon fillimin e presidencës 6-mujore të Francës në BE), se ai shpreson në riaktivizimin e bisedimeve sipas “Formatit të Normandisë“ midis Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës, me qëllim zbatimin e marrëveshjeve të Minsk II, për një zgjidhje të konfliktit në Donbasit në Ukrainën Lindore, me synim krijimin e një autonomie të garantuar ndërkombëtarisht për atë territor brenda Ukrainës.

Kjo është në fakt e vetmja mënyrë, që kjo mosmarrëveshje të zgjidhet në mënyrë paqësore. “Unë mendoj se është mirë të ketë një koordinim midis Evropës dhe SHBA-së. Por është jetike që Evropa të ketë dialogun e saj me Rusinë”- deklaroi Macron. Kjo deklaratë është pritur me shqetësim si në Bruksel ashtu edhe në Uashington.

Thirrja për një dialog “evropian” me Rusinë, është megjithatë në vetvete e pakuptimtë.

BE-ja ka treguar vazhdimisht, se nga natyra është thjesht e paaftë për të formuluar një qasje të përbashkët ndaj Rusisë, apo asnjë çështje tjetër të rëndësishme të politikës së jashtme.

Një vend i rëndësishëm duhet të marrë drejtimin e punëve; dhe në rrethanat aktuale ai mund të jetë vetëm Franca, edhe pse me shpresën se do të mund të tërheqë me vete edhe një Gjermani aktualisht të përçarë.

Përzierja e përgjegjësisë mbi “Evropën”, është për pasojë një recetë që sjell vonesa dhe një konfuzion të pashpresë, që nuk do të bindë askënd, dhe aq më pak rusët. Një nga arsyet e përshkallëzimit aktual të sjelljeve nga Moska, është se kjo e fundit e humbi besimin në Formatin e Normandisë, si dhe tek gatishmëria e Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur një pozicion që e bezdis Uashingtonin.

Vetëm një gjest shumë i fortë nga Franca mund ta rikthejë këtë besim, dhe të fillojë një proces pozitiv negociues me Moskën. Në fushatën aktuale të zgjedhjeve presidenciale në Francë, të gjithë kandidatët nga e djathta ekstreme deri në qendrën e majtë, kanë synuar të përdorin qasjen e Charles de Gaulle.

Por ata duhet t’i kujtojnë vetes se është e sigurt që De Gaulle nuk do ta kishte lejuar që Franca të zhytej në një konflikt të panevojshëm dhe katastrofik, për shkak të ambicieve megalomane të Uashingtonit dhe urrejtjeve rusofobe stërgjyshore të polakëve dhe suedezëve.

Ai besonte në një “Europe des Patries” (Evropë të kombeve) dhe jo në një super-shtet evropian (një projekt që përfundimisht ka dështuar), por në një konfederatë të shteteve-kombe të pavarura, me Francën në një rol udhëheqës.

Në vitin 1966, De Gaulle e tërhoqi Francën nga strukturat ushtarake të NATO-s, në shenjë proteste ndaj refuzimit të Uashingtonit për t’i lejuar Francës një rol në kontrollin të armëve bërthamore amerikane në territorin francez.

Po ashtu ai tentoi nisjen e një dialogu me Bashkimin Sovjetik, bazuar në konceptin e një Evrope që shtrihej “nga Atlantiku në Urale”. Shpresat e tij u zbehën nga Lufta e Ftohtë dhe natyra e komunizmit sovjetik. Por mund të thuhet se ato u rishfaqur në vizionin e Mikhail Gorbachev për një “Shtëpi të Përbashkët Evropiane”.

Fundi i Luftës së Ftohtë, duhej të ishte një moment i përsosur për rishfaqjen e këtij vizioni. Tragjikisht, kjo u bë e pamundur nga kombinimi i një grupit të tërë faktorësh:zhytja e Rusisë në kaosin ku mbretëronte krimi, dhe kur shtetit rus ishte shumë pranë kolapsit nën drejtimin e Jeltsin, pasuar nga kalimi i saj drejt autoritarizmit nën Vladimir Putinin.

Ndërkohë nga pala franceze, nisi të ketë një respekt në rritje ndaj Uashingtonit nga ana e të djathtës franceze, dhe e strukturave të sigurisë (pjesërisht për shkak të rritjes së mbështetjes tek ushtria amerikane për të ndihmuar në ruajtjen e sferës së ndikimit të Francës në Afrikën Perëndimore); dhe adoptimi nga e majta franceze i “fesë” së të drejtave të njeriut dhe demokratizimit global (të udhëhequr nga Amerika) për të zëvendësuar dashurinë e tyre të mëparshme naj marksizmin.

Tani, në kohën e krize evropiane serioze, është momenti të rishfaqet vizioni i De Gaulle. Nëse Macron dëshiron të pretendojë trashëgiminë e De Gaulle në zgjedhjet franceze, dhe më e rëndësishmja në sytë e historisë, atëherë ky është momenti që ai të tregojë një pjesë të vizionit, guximit dhe patriotizmit të Charles De Gaulle. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!