Emigranti politik: Kjo është historia tragjike e familjes sonë nën regjimin e Enver Hoxhës

schedule08:42 - 27 Korrik, 2021

schedule 08:42 - 27 Korrik, 2021

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e familjes së madhe Ndreu nga fshati Sllovë e Dibrës, ku i pari i tyre, Cen Elezi, spikati si një prijës popullor i vullnetarëve dibranë në luftërat për mbrojtjen e kufijve veri-lindor të Shqipërisë nga sulmet e formacioneve serbo-malazeze dhe në vitin 1924, si mik i ngushtë i Bajram Currit, u rreshtua përkrah forcave fanoliste në ‘Kryengritjen e Qershorit’ dhe mbeti i vrarë në fundin e dhjetorit të atij viti kur Zogu u rikthye në Shqipëri. Dëshmia e rrallë e nipit të tij, Hiqmet Ndreu, i biri i Cen Elezit, një prej figurave më të njohura të gjithë Veriut të Shqipërisë, i cili zuri vendin e të atit në krye të fisit Ndreu dhe gjatë periudhës së pushtimit të vendit në vitet 1939-1944, shtëpia e tyre në fshatin Sllovë të Dibrës u bë një nga bazat kryesore të Luftës Antifashiste ku strehoheshin si forcat nacionaliste, ashtu dhe ato partizane, pasi dy prej djemve të kësaj familje, gjeneral-major Dali Ndreu dhe nënkolonel Esat Ndreu, ishin me funksione drejtuese si komandantë divizioni e brigade në Ushtrinë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, gjë e cila bëri që ajo shtëpi e madhe të bombardohej nga aviacioni italian në vitin 1943. Kontraditat e familjes së madhe Ndreu me regjimin komunist të Enver Hoxhës në vitet e para të pasluftës, ku Cen Elezi, edhe pse ishte nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë (zëvëndës i Enverit), nuk u pajtua me politikën e tij pro jugosllave dhe u largua që andej e doli në mal me djemtë dhe nipat e tij, gjë e cila bëri që ajo familje të persekutohej nga regjimi komunist në fuqi, ku si rezultat 6 burra nga kjo familje u pushkatuan, 20 të tjerë u burgosën dhe kryen dhjetra vite burg, 12 vetë u arratisën nga Shqipëria dhe 55 familja u internuan dhe vuajtën në kampet e internimit të Vlorës e Myzeqesë deri në vitin 1991

“Pas mbarimit të Luftës deri aty nga marsi i vitit 1946, familja jonë Ndreu në Sllovë të Dibrës nuk u prek fare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Arsyeja dhe shkaku kryesor që familja jonë nuk u trazua në fillim ishte ai pak respekt që ruhej akoma për gjeneral-major Dali Ndreun dhe nënkolonel Esat Ndreun, të cilët kishin udhëhequr disa nga formacionet e mëdha partizane gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, siç ishte Divizioni i I-rë Sulmues që komandonte Daliu, i cili luftoi edhe për çlirimin e Tiranës. Përndjekja dhe genocidi i egër e i pashembullt ndaj familjes sonë, filloi pas marsit të vitit 1946, kur gjyshi ynë Cen Elezi, djali i “Heroit të Popullit”, Elez Isuf Ndreut, u shpall “armik i popullit”. Në atë kohë për t’i shpëtuar ndjekjeve të reparteve partizane që në atë kohë njiheshin si Divizioni i Mbrojtjes së Popullit të cilat na dogjën kullat e mëdha tre katëshe në fshatin Sllovë, gjyshi Ceni, me disa nga vëllezërit dhe djemtë e tij, për t’i shpëtuar arrestimit u larguan nga kulla pak para mbërritjes së tyre dhe dolën në mal në arrati. Në atë kohë disa nga burrat e familjes sonë u vranë në mal në përpjekje me forcat komuniste, të tjerë u arratisën jashtë Shqipërisë dhe shumë të tjerë u arrestuan dhe përfunduan burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës”. Kështu shprehej mes të tjerësh në dëshmitë e tij, Hiqmet Ndreu, një nga djemtë e familjes së madhe të Elez Isuf Ndreut, i arratisur nga Shqipëria në fillimin e viteve ’50-të dhe me banim në Australi, cili na tregonte të gjithë historinë tragjike të familjes së tij nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kulla e Cen Elezit në Sllovë, bazë e Lëvizjes Antifashiste

Gjatë gjithë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga viti 1939 e deri me mbarimin e Luftës në fundin e 1944-ës, Cen Elezi dhe i gjithë fisi Ndreu, u lidhën ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe kulla e tyre në fshatin Sllovë u kthye në një nga bazat kryesore të Luftës, ku mblidheshin jo vetëm paria e Dibrës, por edhe eksponentë të tjerë nacionalistë nga e gjithë Shqipëria. Që në fillimin e vitit 1942, Ceni kishte mbledhur dhe mbante afro 200 burra të armatosur nacionalistë me të cilët ai vepronte në zonën e Sllovës. Në atë kohë, italianët duke e ditur këtë fakt, u munduan që ato forca t’i angazhonin në luftë kundër forcave të tjera nacionaliste të Muharrem Bajraktarit që vepronin në zonën e Kukësit.

Kjo dëshmohet më së miri edhe nga një dokument arkivor në të cilin zv/Prefekti i Dibrës, njoftonte autoritetet italiane, duke u thënë se: “Cen Elezi është gjysëm ilegal dhe nuk pranon të paraqitet në karabinieri, pasi e di se do të arrestohet”. Nga dhjetori i vitit 1942 e deri në shtatorin e vitit 1943, Cen Elezi ishte një nga nacionalistët kryesor të kuvendeve që u mbajtën në Dibër dhe personalisht ai mori pjesë në mbledhjet e parisë të Dibrës që u zhvilluan në Reç, Peshkopi, Lumë, Sllovë etj. Kështu në një informacion të autoriteteve italiane të asaj kohe, ndërmjet të tjerash thuhej: “Në shtëpinë e Fiqëri Dines në Maqellarë dhe në Banishtë, janë organizuar disa mbledhje ku kanë marrë pjesë: Cen Elezi, Myftar Kaloshi, Ali Maliqi dhe Aqif Lleshi”. Në ato mbledhje Fiqëri Dine dhe Cen Elezi, kërkuan nga e gjithë paria e Dibrës, që ata të ushtronin të gjithë influencën e tyre dhe deri në mbarimin e Luftës, të ndaloheshin të gjitha gjakmarrjet.

Në marsin e vitit 1943, Cen Elezi me gjithë parinë e Dibrës, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Shaqir Demës, i cili ishte një nga burrat më të shquar të asaj parie. Duke përfituar nga rasti dhe duke e ditur se në varrimin e tij do të shkonin për të marrë pjesë të gjithë nacionalistët e zonës, autoritete italiane të Divizionit “Firence” me qendër në Dibrën e Madhe, dërguan forca të shumta ushtarake që t’i rrethonin dhe t’i asgjesonin ata. Në ato luftime ku pati të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët, mbeti i plagosur Cen Elezi dhe dhëndëri i tij.

Italianët bombardojnë kullat e Cen Elezit në Sllovë

Nisur nga të dhënat që kishin autoritetet italiane rreth qëndrimit dhe veprimtarisë të Cen Elezit, i cili e kishte kthyer shtëpinë e tij në një bazat kryesore të Lëvizjes Antifashiste, komanda e lartë ushtarake me qendër në Tiranë, urdhëroi Komandën e Aviacionit që të bombardonte kullat e tij në Sllovë. Pas këtij urrdhëri, Aviacioni Italian bombardoi jo vetëm kullat e Cen Elezit në Sllovë, por edhe ato të Xhetan Elezit dhe Beshir Sufës. Këto bombardime që shkaktuan dëme të mëdha, u bënë për arsye se autoritetet e larta italiane kishin informata të hollësishme se gjatë atyre ditëve në ato kulla, qëndronin krerët kryesor të ushtrisë partizanëve të Enver Hoxhës dhe atyre të Ballit Kombëtar që kryesoheshin nga Mit’hat Frashëri.

Pas këtyre bombardimeve, Cen Elezi me gjithë partizanët që ndodheshin aty, u detyruan të largoheshin dhe të merrnin drejtimin e Malit të Korabit dhe gjatë rrugës ai qëndroi në disa fshatra, ku bënte propagandë që rinia të organizohej në Luftën Antifashiste. Lidhur me këtë, në një njoftim të kryeministrit të asaj kohe, i cili njoftonte Ministrinë e Brendshme dhe komandën italiane të Armatës së IX-të, midis të tjerash thuhet: “Reka lajmëron se në orën tetë të datës 24 të këtij muaji, Cen Elezi me çetën e tij prej 400 burrash të armatosur, ka shkuar në katundin Shermenikë, ka thirrë kryeplakun dhe e ka porositë që të mbledhë rininë e të dalë në mal të bashkohet me ta se dita afroi”. Një ndër ngjarjet më të rëndësishme të Dibrës gjatë Luftës Antifashiste, ka qenë Kuvendi i Lurës, i cili u mbajt në fundin e muajit gusht të vitit 1943, ku morën pjesë të gjithë krerët kryesor të forcave që luftonin kundër italianëve, si partizanët shqiptarë, partizanët maqedonas, Balli Kombëtar, si dhe nacionalistët, të cilët nuk ishin grupuar në asnjë organizatë apo parti politike.

Në atë kuvend mori pjesë dhe Cen Elezi, nga të gjitha palët pjesëmarrëse u nënshkrua një marrëveshje prej gjashtë pikash, ku si pikë kryesore ishte lufta pa kompromise kundër forcave pushtuese që ishin në Shqipëri. Gjatë periudhës të pushtimit nazi- fashist, përveç Cenit dhe gjithë djemve të tij që u angazhuan me të gjitha forcat në atë luftë, në krye të forcave partizane, morën pjesë dhe i vëllai i Cenit, Esat Ndreu dhe i afërmi i tij Dali Ndreu. Esat Ndreu me gradën e nënkolonelit u emërua komandant i Brigadës së XVIII-të Sulmuese (partizane), ndërsa Dali Ndreu me gradën e gjeneral-majorit, ishte zv / Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandant i Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane që udhëhiqeshin nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha. Në ato funksione të larta komanduese, ata qëndruan deri në mbarimin e Luftës.

Si e masakroi Enver Hoxha familje nacionaliste të Cen Elezit?!

Lidhur me fatin tragjik të familjes së Elez Isuf Ndreut dhe të birit të tij Cen Elezit, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në vitin 1944, nipi i tij, Hiqmet Ndreu tregonte: “Pas mbarimit të Luftës deri në marsin e vitit 1946, familja jonë Ndreu në Sllovë të Dibrës nuk prek nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo falë kontributit të madhe që kishim dhënë gjatë Luftës dhe një lloj respekti që ruhej për gjeneral-major Dali Ndreun dhe nënkolonel Esat Ndreun. Përndjekja dhe genocidi i egër e i pa shembullt ndaj familjes sonë, filloi pas marsit të vitit 1946, kur gjyshi ynë Cen Elezi (djali i ‘Heroit të Popullit’, Elez Isuf Ndreut) u shpall “armik i popullit”, pasi Ceni dhe i gjithë fisi ynë Ndreu, nuk mund të pajtoheshin me vijën politike që po ndiqte Enver Hoxha dhe qeveria e kryesuar prej tij duke u bërë vasal të Jugosllavisë së Titos, armiqve shekullor të Shqipërisë, me të cilët ne kishim luftuar prej disa dekadash dhe ishim vrarë me ta.

Në atë kohë për t’i shpëtuar përndjekjeve të reparteve partizane të Forcave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit Ndjekjes që na dogjën kullat e mëdha tre katshe në Sllovë, Ceni, me vëllezërit dhe djemtë e tij dolën në mal në arrati. Në atë kohë disa nga burrat e familjes sonë u vranë në mal në përpjekje me forcat komuniste, ndërsa të tjerët u arratisën jashtë Shqipërisë, kurse ata që mbetën, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës”.

Cen Elez Ndreu

Pasi qëndroi disa kohë nëpër male së bashku me disa nga djemtë dhe vëllezërit e tij, për t’i shpëtuar përndjekjeve të forcave komuniste, Cen Elezi u detyrua dhe u aratis nga Shqipëria e duke kaluar në Jugosllavi, ku dhe u arrestua nga UDB-ja. Duke qenë një nga pinjollët e familjes Ndreu, që njihej për luftërat që kishte bërë ndër vite kundër forcave serbo – malazeze, Cen Elezi u mbajt për disa kohë i izoluar në burgun e Kalasë së Shkupit, ku dhe vdiq nga torturat në vitin 1949.

Mersin Elez Ndreu

Mersini u lind në vitin 1887, në fshatin Sllovë dhe mësimet e para i morri në një shkollë në gjuhën turke, më pas ai u morr me administrimin ekonomik të familjes së madhe Ndreu. Mersini ka marrë pjesë në të gjitha luftërat përkrah të atit të tij Elez Isufit, ku më kryesorja ishte ajo e betejës së Trojakut kundër serbëve në Peshkopi. Në fundin e vitit 1943, ai mori pjesë në luftën për mbrojtjen e kullave të Ndrevë, nga sulmet e forcave italiane.

Xhetan Elez Ndreu

Xhetani lindi në vitin 1908 në fshatin Sllovë dhe u dërgua për të ndjekur mësimet në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë. Më pas ai ndoqi dhe një shkollë ushtarake (Plotore). Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, Xhetani shërbeu si mësues në Internatin “Dibra” të fshatit Kastriot të Peshkopisë. Në vitet 1930, ai u largua nga Arsimi dhe shërbeu si Kryetar Komune në Petrelë, Delvinë, Qukës etj. Gjatë viteve të pushtimit fashist, ashtu si të gjithë pjestarët e tjerë të familjes Ndreu, edhe Xhetani luftoi me armë në dorë kundër okupatorit nazifashist. Pas mbarimit të Luftës, ai u caktua në disa detyra të larta në Peshkopi dhe Tiranë. Në vitin 1948, ai u largua nga Tirana dhe u kthye në Dibër, ku shërbeu si mësues. Në vitin 1954, ai u pushua nga puna për motive politike, kjo e detyroi të merrej me bujqësi. Në vitin 1958, Xhetani u internua familjarisht në fshatin Shtyllas të Fierit, ku punoi në punët më të rënda deri sa vdiq në vitin 1977.

Medi Elez Ndreu

Mediu lindi në vitin 1889 dhe ishte djali i tretë i Elez Isufit. Në mesin e viteve ‘20, Mediu mbaroi një kurs në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, nga ku doli me gradën e togerit. Pasi shërbeu për disa kohë si toger i Monarkisë së Zogut, ai u pushua nga puna prej tij dhe më pas emigroi në Francë. Në vitin 1941, ai u rikthye në Shqipëri dhe gjatë periudhës së Luftës, mori pjesë active në organizimin e rezistencës antifashiste. Në marsin e vitit 1946, ai doli në arrati në mal me Cenin dhe në vitin 1949, u arratis në Jugosllavi, ku u arrestua nga UDB-ja. Mediu doli nga burgu në vitin 1951 dhe më pas emigroi në Itali, Australi dhe SHBA-ve. Gjatë viteve që Mediu qëndroi si azilant politik jashtë Shqipërisë, ai aderoi në partinë “Bashkimi Demokrat”, duke dhënë një kontribut të madh si publicist në shtypin e asaj partied he atë të mërgatës politike shqiptare në Perëndim. Mediu vdiq në New York në vitin 1982.

Esat Elez Ndreu

Esat lindi në vitin 1910, gjatë viteve të Monarkisë ai vazhdoi studimet në shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it në Tiranë, e më pas e ndërpreu atë dhe hyri në një shkollë ushtarake (Plotore) nga ku u diplomua me gradën aspirant. Në vitin 1935, ai mori pjesë në grupin e ushtarakëve që mbështetën Lëvizjen e Fierit dhe u arrestua si antizogist. Në vitin 1938, ai u lirua nga burgu dhe u mobilizua përsëri në ushtri, pas një amnistie të dhënë asokohe nga Mbreti Zog. Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe ishte një nga ushtarakët e parë që i’u përgjigj thirrjes për të marrë pjesë në Ushtrinë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha. Duke qenë një ushtarak karriere tepër i përgatitur, Shtabi i Përgjithshëm, i ngarkoi detyrën e komandantit të Brigadës së XVIII-të Sulmuese (partizane), pasi më parë kishte qenë komandant batalioni dhe nënkomandant i gjithë forcave partizane të Dibrës. Më pas ai u bë komandant i Divizionit të Dytë dhe zv/komandant i Korpusit të Tretë. Pas Luftës, Esatit i’u dhe grada e nënkolonelit dhe u caktua komandant i një regjimenti artilerie në Tiranë. Pas arratisjes së Cen Elezit në vitin 1947, ai u përjashtua nga partia dhe u ç’mobilizua nga ushtria, duke mbetur si nënpunës i thjeshtë deri në vitin 1956. Pas pushkatimit të Dali Ndreut, ai bëri një protestë tek Enver Hoxha dhe pas kësaj u internua familjarisht në Memaliaj të Tepelenës, ku dhe vdiq në vitin 1972.

Islam Hysen Ndreu

Islam i cili ishte dhe djali i parë i Cen Elezit, lindi në vitin 1908-të në fshatin Sllovë, ai u studio në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë. Me dekret të Mbretit Zog, ai u emërua kryetar komune dhe shërbeu në atë post në Kavajë, Shijak e Zerqan. Në vitet e para të pasluftës, ai shërbeu në Këshillin e Qarkut të Dibrës, por në marsin e vitit 1946, u detyrua dhe doli në mal në arrati me gjithë vëllezërit e tjerë dhe babain e tij Cen Elezi. Pas një amnistie të dhënë nga komunistët, ai u dorëzua dhe u dënua me 12 vite burg. Më pas u internua familjarisht në Berat dhe Lubonjë të Vlorës, ku dhe vdiq në vitin 1988.

Gani Hysen Ndreu

Ganiu, i cili ishte djali i dytë i Cen Elezit, lindi në vitin 1909. Pasi mbaroi shkollën fillore në Sllovë, studio në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it, në Tiranë. Me mbarimin e studimeve, i ati Cen Elezi, e caktoi që të kujdesej për ekonominë e familjes. Gjatë viteve të Luftës edhe Ganiu u angazhua me Lëvizjen Antifashiste me të gjithë vëllezërit. Në marsin e vitit 1946, ai u arratis së bashku me pjestarët e familjes dhe mbeti i vrarë gjatë një përpjekje me forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit në afërsi të fshatit të tijë Sllovë. Akoma edhe sot nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij.

Xhelal Hysen Ndreu

Xhelali, i cili ishte djali i katërt i Cen Elezit, lindi në vitin 1910 dhe pasi mbaroi shkollën fillore, ai si të gjithë vëllezërit u diplomua në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it dhe pas kësaj u emërua nga Mbreti Zog, si kryetar komune në Vlorë, Ostren, (Gollobordë), e Ndroq. Pasi luftoi me armë në dorë në rradhët e Brigadës së Parë partizane të Mehmet Shehut (ku u plagos tre herë), pas mbarimit të Luftës ai shërbeu në Ministrinë e Mbrojtjes me gradën e togerit. Në vitin 1946 ai doli në mal në arrati dhe pasi u dorëzua, vuajti 15 vite në burgjet komuniste. Pasi u lirua nga burgu, ai u internua në Lubonjë të Vlorës, ku dhe vdiq në vitin 1988. Xhelali që në rininë e tij ishte i pasionuar pas letërsisë dhe zotëronte gjashtë gjuhë të huaja, por gjatë arrestimit të tij, Sigurimi i Shtetit i sekuestroi të gjitha dorëshkrimet e tij. Pas viteve ’90, familja botoi një nga librat e tij, me titull “Në Lisivadh nuk ka qetësi”.

Xheladin Hysen Ndreu

Xheladini i cili ishte djali i pestë i Cen Elezit, lindi në vitin 1915 dhe pasi shkollua në ‘Normalen’ e Elbasanit, shërbeu si arsimtar në zonën e Peshkopisë dhe më vonë si inspektor i Arsimit në Qarkun e Dibrës. Gjatë viteve të Luftës edhe Xheladini ashtu si burrat e tjerë të fisit Ndreu, u angazhua në Lëvizjen Antifashiste së bashku me të atin, Cenin. Në vitin 1946 ai doli në mal në arrati së bashku me vëllezërit e pjestarët e tjerë të familjes së madhe dhe pasi u dorëzua, vuajti 10 vite në burg. Kur doli nga burgu, u internua në Lubonjë të Vlorës deri në vitin 1990 dhe vdiq në vitin 1996.

Riza Hysen Ndreu

Rizai lindi në vitin 1918 dhe studio në Medresenë e Tiranës. Gjatë viteve të Luftës, ai morri pjesë active në rradhët e Lëvizjes Antifashiste, ashtu si të gjithë burrat e tjerë të familjes Ndreu. Rizai gëzonte një popullaritet në zonën e Dibrës, por pas arratisjes në mal me familjen, u kap dhe u dënua me 14 vite burg. Pasi doli nga burgu, u internua në fshatin Lubonjë të Vlorës, ku dhe vdiq në vitin 1982.

Isa Hysen Ndreu

Isai lindi në vitin 1919 dhe pasi u shkollua ne Peshkopi, më pas studio në Itali për Filozofi në Universitetin e Firences. Pas viteve të Luftës së Dytë Botërore, ai u u angazhua në Lëvizjen Antikomuniste, duke qenë një nga figuart qëndrore të diasporës shqiptare në luftën kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës. Gjatë periudhës së emigracionit politik, Isai u morr me botime të shumta të literaturës antikomuniste në Francë e Itali, ku bashkë me Lec Shllakun, ishin botuesit dhe editorët e revistës me përmbajtje antikomuniste, “Koha Jonë” që fillimisht dilte në Itali dhe më pas në Francë.

Burrat e tjerë të fisit Ndreu

Përveç vëllezërve dhe djemve të Cen Elezit, gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, u vranë, burgosën dhe internuan dhe Selmani, Rexhepi, Irfani, Baftjari, Lazami, Tafili, Jonuzi dhe më i vogli i tyre Bexhet Ndreu. Pas goditjes që pësoi familja e Cen Elezit, në vitin 1946, me porosi direkte të Enver Hoxhës, në vitin 1955, u pushkatua gjeneral-major Dali Ndreu me gjithë bashkëshorten e tij Liri Gegën, e cila ishte shtatëzanë dhe për këtë krim të paparë, në atë kohë reagoi publikisht vetë kreu i Kremlinit, Nikita Hrushov. Historia tragjike e fisit Ndreu, (ndër më të njohurit jo vetëm në rrethin e Dibrës, por edhe në të gjithë Veriun e Shqipërisë) nuk mbaron këtu me këto dënime e persekutime për familjen e Cenit, pasi edhe shumë nga të afërmit e tij, do të pësonin të njëjtin fat.

Një prej tyre ishte Qazim Ndreu, i cili u arratis bashkë me Cenin në Jugosllavi, vdiq në Bruksel dhe la tre fëmijë. Kurse Hiqmet Islam Ndreu, i cili pasi u arratis nga Shqipëria në vitin 1949, u vendos fillimisht në Itali dhe më pas në Australi, ku dha një kontribut të madh si activist i mërgatës politike shqiptare në atë kontinent të largët dhe gjithashtu si publicist e gazetar në radion e Melburnit, ku drejtonte një emision në gjuhën shqipe. Hiqmeti u kthye në Shqipëri pas viteve ’90-të dhe ndërroi jetë në vitin 2007 në Melburn, duke lenë amanet që eshtrat e tij të prehen në Sllovë të Dibrës, ku ndodhen edhe sot në parcelën e madhe të fisit Ndreu. /Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!