Gjatë 24 orëve të fundit hynë nga Greqia 7475 qytetarë dhe udhëtuan drejt vendit fqinj 2741 persona.
Edhe paraditen e të premtes në pikën doganore e Kapshticës ka pasur fluks të lartë lëvizjesh në të dyja anët e kufirit. Për të menaxhuar situatën, policia jonë kufitare ka hapur 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa pala greke punon me 3 sportele në dalje, çfarë ka shmangur radhët dhe pritjet në kufi.
Emigrantët kanë shfrytëzuar ditët e pushimit, për të kaluar në atdhe festën e Pashkës.
Prej fillimit të javës, kanë hyrë nga Greqia mbi 30 mijë emigrantë, ndërsa autoritetet e kufirit kanë marrë masa duke shtuar sportelet dhe personelin për të përpunuar pa vonesa lëvizjet e shtuara të udhëtarëve për shkak të festës së Pashkës. Ndërkohë zbatimin e plotë të sistemit Entry Exit (EES), i cili deri më tani ka qenë në faza testimi, sot hyri ne fuqi dhe në Kapshticë. Kjo praktikë e re deri tani nuk ka sjelle vonesa në këtë pikë kufitare.


