Emigrantët e mbetur në kufi, Enkel Demi thirrje Pandeli Majkos: Qeveria mund të çmendet, por ai JO!

schedule09:24 - 6 Prill, 2020

schedule 09:24 - 6 Prill, 2020

Gazetari i njohur Enkel Demi ndërsa bënte mbylljen e programit ABC-ja e mëngjesit ka bërë një thirrje për qeverinë shqiptare, konkretisht për Ministrin e Diasporës Pandeli Majko.

Gazetari në thirrjen e tij i mëshoi fort faktit se emigrantët shqiptarë nuk mund të rrinë te dera e shtëpisë e  në mes të rrugës kur ndërkohë Pandeli Majko në krizën e luftës së Kosovës ka futur në Kukës 300 mijë persona.

Sipas Gazetarit Enkel Demi ky episod duhet të marrë zgjidhje, qeveria mund të çmendet por Pandeli Majko, Jo! Tha ndër të tjera ai.

“Përpara se ti lëmë vendin Klodjana Shalës me këshillat e saj për stërvitjen në kushtet e shtëpisë, për të mbajtur veten në formë duke qenë se jemi ende në karantinë, do të vazhdojmë të ndjekim historinë e shqiptarëve që kanë mbetur në kufi me Greqinë, por jo vetëm ata, ka edhe plot të tjerë.

Normalisht një shtet duhet të veprojë kështu; ata duhet të vijnë në Shqipëri, shteti ti çojë në një zonë ku ata të bëjnë karantinën, dhe pasi bëhet karantina, ata janë të lirë. Kështu ka vepruar Italia, i ka futur në reparte ushtarake përpara se të ndodhte e gjithë kjo histori.

Shqiptarët nuk mund të lihen në mes të rrugës, edhe për një arsye tjetër, arsye politike. Anëtar i qeverisë është Pandeli Majko, Ministër i Diasporës, Kryeministër i këtij vendi gjatë luftës së Kosovës.

Ky njeri nuk mund të rrijë e të shoh shqiptarët, që rrinë te dera e shtëpisë, dhe Pandeli Majko e ka guximin intelektual, dhe politik, që ta marrë përsipër këtë gjë. Ata njerëz nuk mund të rrijnë atje, qeveria mund të çmendet, por Pandeli Majko nuk çmendet. Prandaj duhet të jetë ai që duhet të reagojë, është Ministër i Diasporës, duhet ta kuptojë këtë gjë.

Ka qenë Kryeministër i Shqipërisë në krizën e Kosovës, janë futur 300 mijë vetë, në një qytet që quhej Kukës, dhe ai ka bërë një nga aktet më heroike që mund të bënte një politikan në Shqipëri, nuk mund ta njollosë veten në këtë moment!”./abcnews.al