Në ish-shtëpinë e të moshuarve në Libohovë janë strehuar shqiptarët e parë të kthyer nga Greqia. Ata do të kryejnë karantinimin e detyruar 14 ditor. Gjatë dy javëve qytetarët do të paguajnë vetëm 800 lekë në ditë për ushqimin.
Një grua flet që nga dritarja e dhomës ku po qëndron: “Nuk kishim mundësi të paguanim hotelet. Ndejtëm atje, na thanë një herë 20, pastaj na e bërën një herë dhjetë. Pastaj hajdeni na thanë se na panë që po rrinim përjashta..”
Ndërsa një tjetër shprehet: “Ushqimin do ta paguajmë vetë do ta porosisim andej poshtë nga lokali. Është marrë vesh me anë të bashkisë ai.”
Një nga shqiptarët rrëfen ditët e vështira në pikën kufitare të Kakavijes:
“Unë kam ardhur që në datë 13. Nëntë ditë ndenja në Kakavijë as ushqim asgjë. Tani të gjithë shqiptarët po vuajnë. Dje ka qenë një nënë me tre fëmijë. Është akoma në Kakavijë. Nuk e lejojnë që të dalë këtej se i kërkojnë 25 mijë lekë për hotelin… Nuk i kisha mundësitë, mua 600 euro më vajti rrugëtimi nga Kreta në Kakavijë.”
Në dispozicion të personave që kthehen nga jashtë janë vënë në gatishmëri në Gjirokastër edhe konviktet e djemve dhe vajzave të Universitetit “Eqerem Qabej”. Emigrantët janë punëtorë sezonale në Greqi, por ka edhe nga ata që u mbaron afati i pasaportës dhe u duhet te kthehen. /abcnews.al/

