Karvani me emigrantë nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori, të drejtuar për në Shtetet e Bashkuara, është i padëshiruar edhe në Meksikë. Qytetarë të shumtë dolën në rrugët e Tijuanës për të protestuar kundër emigrantëve.
Qindra banorë kanë dalë në rrugët e qytetit kufitar të Meksikës, në protest për mbëritjen e mijërave emigrant, të cilët kanë për qëllim të futen në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ata po i kërkojnë emigrantëve që të largohen nga Tijuana për në jug të Kalifornisë. Migrantët janë pjesë e një karvani të madh me shtetas nga Hondurasi, Guatemale, El Salvador të cilët kanë udhëtuar përmes Meksikës për në SHBA, ku ata duan të kërkojnë azil.
Në përgjigje të ardhjes së tyre, dy vendet instaluan masa sigurie më të mëdha në vendkalimin kufitar. Kryebashkiaku i Tijuanës Juan Manuel Gastelum tha se pret që numri i emigrantëve që vijnë në qytet në javët e ardhshme do të arrijë në 10,000, duke paralajmëruar se qyteti nuk ishte i përgatitur për t’u përballur me këtë “ortek”. Qëndrat e strehimit në qytet janë të pakta dhe autoritetet lokale I kërkuan ndihmë qeverisë. Ndërkohë, fjalët e Gastelum janë përdorur nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Kryebashkiaku i TIjuanës sapo tha se qyteti është i papërgatitur që të menaxhojë numrin e lartë të emigrantëve”, nënvizon kreu i Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa më tej theksoi se SHBA nuk është e përgatitur për këtë pushtim.
“Ata po shkaktojnë krime dhe probleme të shumta në Meksikë. Ikni në shtëpi”, shkruan Trump në Twitter. Ndjenja anti-emigrantë mund të shikohet edhe në rrugët e Tijuanës.
“Ata janë pushtues! Janë të armatosur! Largohuni nga vendi”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve, sipas agjencisë Rojters.
Megjithatë, jo të gjithë po manifestonin kundër emigrantëve. Një grup i vogël mbajti një tubim në mbështetje të tyre, për të cilët thonë se po arratisen nga persekutimi, varfëria dhe dhuna./abcnews.al