“Emigracioni i paligjshëm zgjidhet me bashkëpunim”, Gjebrea: Shqipëria po i jep mbështetje të madhe Italisë

schedule13:53 - 8 Nëntor, 2023

schedule 13:53 - 8 Nëntor, 2023

Ish zëvendës ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea ka folur në një lidhje me “Tirana Live” për marrëveshjen e nënshkruar me Italinë për refugjatët e paligjshëm, që kanë mbërritur në vendin fqinj.

Ajo ka deklaruar se emigracioni i paligjshëm zgjidhet me bashkëpunim, si pasojë Shqipëria po i jep mbështetje të madhe Italisë.

 “Sigurisht është diçka e re, diçka unike dhe brenda kësaj skuadre ka gjithmonë pikëpyetje. Jam e bindur që autoritetet shqiptare janë duke bashkëpunuar me palën italiane. Sfida që ka bota sot dhe Europa me emigracionin e paligjshëm, është një sfidë që nuk po arrin të zgjidhet dhe mesa duket kjo lloj mbështetje që Italia i ka kërkuar Shqipërisë, është një formë e cila detyrohet nga rrethanat dhe ngelet për t’u parë se si do funksionojë. Mendoj që autoritetet italiane që bashkëpunojnë me autoritetet tona do të kenë mundësi që të reagojnë ashtu siç parashikohet në nenet e këtij protokolli. Sepse sfida me numrin prej 3 mijë vetësh dhe një numër jo më shumë se 30 mijë është goxha dhe për këtë arsye kjo pjesë do të zbatohet nga pala italiane”, tha Gjebrea.

Më tej, ajo ka shtuar se në këtë marrëveshje siguria e brendshme vjen nga Italia, ndërsa Shqipëria do sigurojë perimetrin e jashtëm.

“Ne atë që ne lexojmë, e theksoj te marrëveshja që u bë publike, siguria për sa i përket perimetrit të jashtëm do të jetë nga pala shqiptare dhe pjesa e brendshme do të jetë nga pala italiane. Përsëri këto janë gjëra që ne na duhet t’i shikojmë, se si do të zbatohet ky plan ngelet për t’u parë. Ky plan ndihmon Italinë për këtë fluks të jashtëzakonshëm emigrantësh që ka dhe mesa duket pritet dhe për valë të reja. Mos të harrojmë që jemi në një situatë krize në Lindjen e Mesme, me zhvillime, me emigrantë të paligjshëm që edhe pse periudha e dimrit nuk i favorizon, kemi parë që kemi dyndje, zbarkime të emigrantëve të paligjshëm”, u shpreh Gjebrea./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!