Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka emëruar 42 magjistratë të rinj, të cilët sot bënë betimin përpara se të marrin detyrën në 11 gjykata të rretheve.
Numri më i lartë i emërimeve është bërë në Gjykatën Administrative të Lushnjës, si dhe në Gjykatat e Shkallës së Parë në Fier dhe Elbasan, me nga shtatë gjyqtarë secila.
Pavarësisht këtij zhvillimi, juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në “News Line” në ABC News, e cilësoi si një lajm të mirë emërimin e gjyqtarëve të rinj, por nga ana tjetër theksoi se KLGJ ende përballet me mangësi serioze në organizim dhe në mbështetjen e sistemit gjyqësor.
Sipas saj, pavarësisht emërimeve të reja, institucionit i mungon një strategji e qartë për adresimin e vakancave dhe forcimin e standardeve të drejtësisë në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian.
“Ky institucion pavarësisht se aprovon harta, nuk ka në agjendën e saj vakumin e madh që kanë gjykatat. Shumë gjykata në Shqipëri kanë mangësi në gjyqësore. Nuk është vetëm tek emërimi i i gjyqtarëve, por edhe tek siguria apo financave. Ka një mosorganizim të KLGJ për gjyqësorin. KLGJ është zëvendësimi i KLD së famshme, por nuk është në të njëjtin standard.
Zoti Sadushi ka qenë gjithmonë kritik për këtë situatë. KLGJ duhet të reagojë më fort. Para pak ditësh iu reduktua buxheti dhe nuk pati asnjë reagim. Duhet të jetë në krah të gjyqtarëve dhe të ngritjes së standardeve. Kurrë nuk kemi dëgjuar që të ketë një zë të fuqishëm në zhvillimin e standardeve të BE-së.
Pavarësisht se janë emëruar këta gjyqtarë të rinj, nuk e ka bërë detyrën e saj. Nga një kolaps kemi shkuar në një kolaps tjetër. KLGJ ka aq shumë kompetenca, saqë shikon që është tmerrësisht mbrapa, nuk ka presionin dhe formimin. Emërimi i këtyre gjyqtarëve është patjetër një lajm i mirë. Por do të ishte të mos fshihemi mbrapa gishtit. Mendoj që pas këtij emërimi do të fillojë që të flejë përsëri gjumë. Në gjykatat që kishte mungesë, do të ndjehet prania e tyre. Shpresoj që gjyqtarët e rinj të jenë integriteti i gjyqësorit”, tha Brizida Gjikondi./abcnews.al

