EMA merr në analizë raste të rralla të çrregullimeve nervore pas vaksinimit me AstraZeneca

schedule15:42 - 7 Maj, 2021

schedule 15:42 - 7 Maj, 2021

Rregullatori i barnave në Evropë bëri të ditur se po rishikon raporte të një çrregullimi të rrallë degjenerues nervash në personat që janë vaksinuar me AstraZeneca. Për këtë arsye, EMA ka kërkuar të dhëna më të hollësishme për rastet nga kompania.

Si pjesë e një rishikimi të rregullt të raporteve të sigurisë për vaksinën, Vaxzevria, komiteti i sigurisë i Agjencisë Evropiane të Barnave po analizon të dhënat e siguruara në rastet e sindromës Guillain-Barre, njoftoi rregullatori, raporton abcnews.al

EMA po shqyrton gjithashtu raporte të inflamacionit të zemrës me vaksinën e Pfizer-BioNTech dhe Moderna. Të dy vaksinat përdorin teknologji të re mARN për të ndërtuar imunitet kundër koronavirusit.

EMA dhe rregullatorët e tjerë janë duke shqyrtuar edhe mundësinë e kushteve të rralla të mpiksjes së gjakut pas bërjes së vaksinave për Covid-19, përfshirë këtu edhe AstraZeneca-n.

Sindroma Guillain-Barré është një gjendje e rrallë neurologjike në të cilën sistemi imunitar i trupit sulmon veshjen mbrojtëse në fijet nervore. Shumica e rasteve pasojnë me një infeksion bakterial ose viral.

Bëhet fjalë për një rrezik jashtëzakonisht të rrallë që shoqërohet me infeksione të frymëmarrjes dhe zorrëve, si dhe disa vaksinime në të kaluarën. sb/abcnews.al/