Eliminatoret e EURO 2025, Bushi: Grup i fortë, do të doja në ekip Asllanin dhe Bajramin

schedule12:21 - 4 Shkurt, 2023

schedule 12:21 - 4 Shkurt, 2023

Kombëtarja shqiptare U-21 njohu të enjten kundërshtarët e saj në eliminatoret e Kampionatit Europian 2025. Shqipëria u shortua në një Grupin E me Zvicrën, Rumaninë, Malin e Zi, Armeninë dhe Finlandën.

Këtë të shtunë, trajneri i ekipit të Shpresave doli në një konferencë për media ku foli për kundërshtarët e kuqezinjve në këtë grup si edhe objektivat e Shqipërisë në eliminatoret e vlefshme për EURO 2025. Ndër të tjera, tekniku kuqezi foli edhe për grupin e kuqezinjve që ai drejton, si edhe lojtarët e rinj në ekipin e tij.

“Mendoj që është një grup relativisht i fortë dhe i ekuilibruar. Gjithkush mund t’i marrë pikë njëri-tjetrit. Janë ekipe që të hapin probleme. Gjithmonë jemi në kërkim të talenteve, FSHF ka bërë punë të mirë. Do të kemi prurje shumë të forta. Shpresoj të mos kemi dëmtime këtë sezon. Uroj që lojtarët të marrin minuta në ekipet e tyre, kam besim se do bëjnë mirë. FSHF mund të na ndihmojë me ndeshje miqësore. Grupi është i kalueshëm. Kemi menduar të bëjmë katër miqësore.

Objektivat në këto eliminatore? – Ne jemi ekip modest, por jemi të fortë kur bëhemi bashkë dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Kemi probleme për gjetjen e lojtarëve në disa pozicione.

Abissnet Superiore? – Këtë sezon nuk është se ka shumë lojtarë për Shpresat. U bëj thirrje klubeve të aktivizojnë lojtarë të rinj, do të përfitojnë nga ata.

Grupi E – Do jetë grup interesant, mendoj se do ketë shumë barazime. Jemi të fokusuar te ndeshja e parë ndaj Armenisë. I kemi parë, e kuptuam mënyrën e tyre të lojës. Duke sakrifikuar dhe luftuar, por edhe me pak fat, kemi mundësi të arrijmë sa më lart.

Lojtarët që do të dëshironte trajneri Bushi nga ekipi A dhe takimet me trajnerin e ri Silvinjo – Asllani dhe Adrian Bajrami janë dy lojtarët që mund t’i kemi nga ekipi A, por Bajrami është i dëmtuar. Me Silvinjon kemi patur 2-3 takime. Më pëlqen shumë mënyra se si punon. Mendon të bëjë sa më mirë dhe të arrijë sa më lart. Edhe si futbollist ka qenë i tillë. Mendoj se do të bëjë mirë, si ekipi i parë dhe ekipi Shpresa.

Problemet me ekipin U-21? – Kemi punuar mjaft mirë, kemi patur edhe problemet tona. Problemi më i madh ka qenë përqendrimi, një problem ballkanas. Është një gjë gjenetike, si rritesh dhe si zhvillohesh. Përqendrimi gjatë 90 minutave na ka munguar.

Programi i ekipit U-21 në vijim – Do të grumbullohemi në mars në Antalia për të bërë diçka më ndryshe. Do të luajmë katër ndeshje miqësore. Futbolli është aq sport i bukur, por edhe i mërzitshëm. Mund të luajmë keq, por duhet të vrapojmë mirë dhe të luftojmë. Këtë kam kërkuar gjithmonë tek ekipi.

Brezi i ri i futbollistëve? – Është një brez pak i çuditshëm. Nuk kanë shumë pasion dhe dëshirë për fanellën, kohët kanë ndryshuar, por janë djem të mirë. Mendoj se 70% e grupit do të jetë njësoj me grupin e tetorit. Unë kam shumë besim se do të afrojmë edhe shumë lojtarë të tjerë”, tha ndër të tjera trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi./ FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!