Elbasani nën “pushtetin” e ujit, “Shkumbini” përmbyt 25 banesa

schedule18:04 - 7 Mars, 2020

schedule 18:04 - 7 Mars, 2020

Me sa duket reshjet e shiut në Elbasan nuk kanë ndërmend të pushojnë. Tashmë rreth 25 shtëpi pranë lumit Shkumbin janë përmbytur nga prurjet e lumit, po ashtu edhe shtëpitë në afërsi të zonës së ish-kombinatit metalurgjik.

E njëjta situatë paraqitet edhe në hyrje të qytetit të Elbasanit, në lagjen “5 maj” ku rreth 15 banesa, janë nën ujë si pasojë e reshjeve të shiut, që ka më shumë se 12 orë që bie pa u ndalur.

Në disa zona siç është ajo në Bugjes, dhe Papër, shtrati i lumit Shkumbin ka dalë duke rrezikur rreth 100 shtëpi.

Siç raporton gazetari Aldo Kozarja për abcnews.al, probleme si pasojë e reshjeve ka edhe në fshatin Hajdaran, si dhe në qytetin e Cërrikut, ku me dhjetra hektarë janë nën pushtetin e ujit.

Sasi të mëdha të reshjeve rrezikojnë daljen dhe të përroit të Gurrës në fshatin Shushicë, si dhe përroi i Kushes në Bradashesh.

Në fshatin Çengelaj-Peqin aty ku është dhe stacioni i matjes së nivelit të ujit, bëhet e ditur se shtrati i lumit po arrin maksimumin, dhe nëse do të hapeshin të gjitha portat e tij, situata nga fshati Çengelaj e deri në grykë-derdhjen e lumit në detin Adriatik, mund të përkeqësohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!