Nën kujdesin e Rektorit të Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, profesor dr. Skënder Topi, në bashkëpunim me Universitetin e Barit “Aldo Moro” dhe Universitetin e Foggia Itali, ne Elbasan u organizua Simpoziumi me temë “Vlerësimi dhe misioni i universiteteve në perspektivën europiane”. Qëllimi i këtij simpoziumi ishte krahasimi i sistemeve të vlerësimit dhe akreditimit të universiteteve në kontekste të ndryshme kulturore dhe shkencore.
Universiteti i Elbasanit kthehet në promotor ndryshimesh dhe ngjarje e rëndësishme për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Rektori i Universitetit të Elbasanit prof. dr. Skënder Topi tha se “Ëndërra jonë- është integrimi europian, por që të arrijmë atje, duhet të përgatitemi shpirtërisht dhe moralisht në të gjitha fushat”.
“Element i rëndësishëm është se një grup profesorësh të Universitetit të Barit shpalosin në këtë simpozium gjithë eksperiencën e tyre shumë vjeçare në raport me ndryshimet që po pëson Arsimi i Lartë në Shqipëri vitet e fundit. Ky takim le të na shërbejë si një ogur i mirë për të parë veten se ku ndodhemi në raport me Europën”.
Në takim ishte edhe zv/ministri Arsimit, Ervin Demo, i cili tha se institucionet e Arsimit të Lartë janë duke u organizuar në dy shtylla kryesore, në organizimin akademik dhe atë administrativ, të cilat përmbyllen brenda vitit 2018.
Në këtë simpozium e morën fjalë profesorë të njohur të universiteteve italiane, profesorë dhe administratorë të universiteteve shqiptare të cilët këmbyen eksperiencat për një përqasje evropiane të Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Qëllimi i këtij simpoziumi ishte krahasimi i sistemeve të vlerësimit dhe akreditimit të universiteteve në kontekste të ndryshme kulturore dhe shkencore. Ky simpozium iu referua harmonizimit të sistemeve universitare në perspektivën e një kuadri evropian për arsimin universitar, sipas procesit të Bolonjës./abcnews.al