Njëra nga shtëpitë muze në lagjen “Kala” të Elbasanit është shembur. Për fat nuk pati viktima. Në këtë gjendje janë dhe shtëpitë e tjera të kësaj lagjeje.
Po ndodh ajo që pritej në lagjen “Kala” në Elbasan. Banesat e vjetra po shemben. Rasti i fundit ndodhi pas mesnatës së kaluar. Çatia bashkë me gjysmën tjetër të ndërtesës dy-katëshe në pronësi të Dashamira Dokles u rrëzua. 57-vjeçarja ishte me fat dhe shpëtoi. Ajo ndodhej në gjumë.
“Isha në gjumë dhe dola jashtë. Dëgjova zhurmën e madhe. U trishtova, u tremba shumë nga frika e madhe”.
Shtëpia e saj është shpallur muze, ndaj gruaja nuk ka patur të drejtën të ndërhyjë dhe pse godina ishte amortizuar. Por dhe pse jeton në lagjen muze, Dashamira Dokle për të mbijetuar ka mbledhur dhe shishe plastike në koshat e plehrave.
“Kam hyrë në makina plehrash. Kam marrë shishe plastike dhe i kam shitur”.
Në lagjen “Kala” në Elbasan ndodhen shumë banesa që kanë nevojë për rikonstruksion, por ligjërisht asnjë nga banorët nuk mund të ndërhyjë. Lagja “Kala” është shpallur lagje muze, por ajo është gati në rrafshim dhe muret mund t’i zënë njerëzit brenda nga momenti në moment./abcnews.al