Gazetarja Etleva Delia, autore e emisionit “Gjërat tona” në ABC News, deklaroi se autori i vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi, dukej i pashqetësuar edhe pse zona ku u krye ekzekutimi, e njohur si “Pallati me shigjeta”, ishte e monitoruar me kamera sigurie.
Në një intervistë për “Newsline”, Delia u shpreh se kamerat e sigurisë do të jenë një ndihmesë e madhe për policinë, për të zbardhur vrasjen.
Ndër të tjera, Delia shtoi se autori ka vepruar i vetëm për të kryer vrasjen, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë.
“Është një person, që nuk rezulton të ketë probleme penale, precedentë. Po verifikohet si një pistë e mundshme, çështje e pronësisë. Nga ana tjetër, po verifikohet edhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur kohët e fundit, çështje personale. Çdo gjë është e hapur tani. Raste të tilla janë përdorur edhe më herët për ngjarje të tjera, përdoren persona që kamulfohen si shpërndarës picash. Autori nuk është shqetësuar për zonën e ngjarjes, ka pasur kamera sigurie. Deri më tani, motori nuk është gjetur. Tani janë në fazën që po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë, janë dhjetëra pamje që po verifikohen nga grupi hetimor. Mund ta ketë kryer vrasjen vetëm, por mund të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë. Për aq kohë sa të fiksohet kamera që e ka fiksuar atë pa maskë, deri tani nuk rezulton, ose po e mbajnë diskrete. Është ndihmesë shumë e madhe për policinë. Nuk është vrasje tipike mafioze, që është e vështirë për t’u zbardhur”, theksoi ajo./abcnews.al