Ekzekutimi i babait të Roan Brahimit/ Pamje e makinës së përdorur nga autorët, itinerari që ndoqën

schedule14:24 - 21 Prill, 2025

schedule 14:24 - 21 Prill, 2025

Kamerat e disa bizneseve në Kurbin, kanë kapur, makinën e tre autorëve që kryen ekzekutimin e Gjovalin Prendit në Pllanë mbrëmjen e 17 prillit.

Autorët rezulton se kanë ardhur në rrugën kryesore nga ura e Milotit dhe dyshohet se kanë ndjekur të njëjtën rrugë si për të shkuar për të bërë atentatin por edhe për t’u kthyer ku më pas dogjën makinën në Gjormë të Kurbinit.

Pavarësisht se makina nuk ka qënë me xhama të zinj, sipas hetuesve autorët nuk janë mundur të identifikohen për shkak se kanë qënë të maskuar. Makina tip “Rover” u gjet i shkrumbuar në Fushë Gjorm, më shumë se 12 orë pas ngjarjes.

Në të nuk janë zbuluar gjurmë, pasi rezulton të jetë djegur plotësisht. Autorët kanë qënë të gjithë të maskuar.

Vrasja e Gjovalin Prendit në fshatin Pllanë të Lezhës ka bërë që hetuesit të rihapin disa prej dosjeve të vjetra të ngjarjeve që kanë tronditur vendin. Mësohet se në policinë e Lezhës, nga grupi hetimor, janë shoqëruar anëtarë të fiseve Gjeloshi në Kurbin dhe Reçi në Mirditë. Këto shoqërime por edhe kontrollet në banesat e tyre, janë bërë nga policia, për shkak se ka dyshime që Sidorel Prendi  (Roan Brahimi) ka qënë në përplasje me këto dy fise dhe ka pasur lidhje shoqërore me fisin Gjini.

Ndërkohë përvec shoqërimeve, kontrolle ka pasur edhe në banesat e Ardian Gjeloshit, i cili kishte mbijetuar një atentat në biznesin e tij në Gurëz të Kurbinit, ku u vra ekonomisti Selman Mihana. Në atë kohë si financues i këtij atentati u dyshua edhe Roan Brahimi, ndonëse kurrë nuk u akuzua zyrtarisht. Megjithatë pavarësisht kontrolleve, tek armiqtë e Roan Brahimit, si në Larushkë, Fushë Krujë apo edhe në Fushë Kuqe, nuk janë gjetur sende të palejueshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!