Ekuador, kapet nëndetësja me pesë tonë drogë

schedule12:38 - 26 Nëntor, 2023

schedule 12:38 - 26 Nëntor, 2023

Ushtria ekuadoriane ka sekuestruar pesë tonë drogë në një lloj nëndetëse, në brigjet e ishujve Galapagos njoftuan zyrtarët e ushtrisë. Operacioni detar u bë në zonën që konsiderohet si trashëgimi natyrore kombëtare. Ushtria lokalizoi gjysmë-nëndetësen me 5 tonë substanca të dyshimta që do të kontrollohen, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Prej vendndodhjes së tij strategjike, Ekuadori është kthyer në një qendër logjistike të transportit të kokainës drejt SHBA, Evropës e Amerikës Qendrore, shkruan agjencia “AFP”.

Ekuadori, që gjendet mes dy prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë – Kolumbisë e Perusë, ka sekuestruar këtë vit 189 tonë drogë. Rekord kishte vendosur në vitin 2021, kur sekuestroi një total prej 210 tonëve.

Ishujt Galapagos gjenden 1 mijë kilometra larg brigjeve të Ekuadorit, por po përdoren si një korridor i kalimit të drogave madje së fundmi dhe armatimeve. Javën e kaluar ushtria tha se kishte ndaluar një anije me 122 pushkë, 48 pistoleta e 124 njësi municionesh rreth 150 milje larg ishullit të San Cristobal.