Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh se ndihet i turpëruar pas asaj që ndodhi një ditë më parë në vend me rrëmbimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq, drejtues dhe profesorë të Kolegjit “Mehmet Akif”. Veseli tha se nuk ishte i informuar, pasi nëse do të kishte qenë në dijeni do të përpiqej të ndalonte deportimin e tyre.
Ai tha se u kishte telefonuar të gjithëve duke qenë i gatshëm të shkonte dhe në aeroport. Por fatkeqësia ishte se familjarët lajmëruan vonë atëherë kur fati i tyre ishte gatuar. Veseli shtoi se nuk është ndjerë asnjëherë më i turpëruar dhe thotë se Kosova dje ka ulur kokën me rrëmbimin e gjashtë shtetasve turq.
Kryetari i parlamentit deklaroi se Kosova krenohej me faktin se nuk i kishte dorëzuar hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa tani kishte dorëzuar gjashtë persona pa e ditur se ku. E nëse ata I vrasin atëherë Kosova nuk mund të konsiderohet një shtet i pavarur, përfundoi Veseli
Veseli prej Kuvendit të Kosovës u ka kërkuar falje familjarëve duke marrë fajin përsipër si kryeparlamentar pas ngjarjes që ndodhi të premten./abcnews.al