Seanca gjyqësore e zhvilluar këtë të premte për ish anëtarin e UÇK, Dritan Goxhaj është shtyrë pasi avokatët mbrojtës kanë kërkuar ndërrimin e trupit gjykues.
Sipas avokatit të tij Bashkim Nikolla, Goxhaj nuk duhet që të ekstradohet, pasi akuza që është për nxjerrje të sekretit hetimor nuk qëndron, sipas avokatit ai është gazetar dhe këto janë bërë në sajë të punës së tij investigative.
“Ai e ushtron profesionin e gazetarit dhe nga unioni i gazetarëve në Shqipëri përshkruhet dhe se është një gazetarë investigativ që ka bërë dhe shkruar rreth problemeve politike dhe luftës. Goxhaj njihet si gazetar investigative në Kosovë dhe në Maqedoni. Një pjesë e madhe e shkrimeve të tij janë si provë në gjykatë që tregon me fakte se është i tillë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se ai është arrestuar me 31 korrik në Tiranë dhe dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999./abcnews.al