Në përkujtim të 139-vjetorit të hapjes së Mësonjëtores së Parë Shqipe, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë u hap një ekspozitë e veçantë kushtuar këngëve më të njohura patriotike shqiptare.
Ekspozita bëri bashkë dhjetëra qytetarë, fëmijë e të gjitha grupmoshat të cilët patën mundësin të lexojnë nga afër tekstet e dhjetëra këngëve patriotike që kanë shoqëruar historinë e identitetit tonë kombëtarë, dhe që vazhdojnë të këndohen edhe sot.
Mes autorëve të tyre janë figura të njohura të kulturës dhe patriotizmit shqiptar si Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Kristo Floqi dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët kontribuan në përhapjen e ndjenjës kombëtare përmes krijimtarisë së tyre.
“Qëndron tek këngët patriotike për të kuptuar autorët e këngëve të njohura patriotike që kanë ndihmuar në arsimin shqiptarë, në hapjen e shkollës së parë shqipe. “Mund të shkruajmë për atdhe, himnin e Flamurit”, kemi të ekspozuar tekstet e këngëve patriotike”, tha drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Arsimit.
Në këtë ditë simbolike, muzeu mirëpriti një numër të madh vizitorësh nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga shqiptarë që jetojnë në rajon. Mes tyre ishin edhe grupe vizitorësh nga Kërçovë, në Maqedonia e Veriut, të cilët zgjodhën të festojnë 7 Marsi në qytetin e Korçës.
Për ta, kjo datë ka një domethënie të veçantë, pasi lidhet me historinë e arsimit dhe identitetin kombëtar shqiptar.
“Kemi ardhë enkas nga Kërçova për 7-marsin, do të vizitojmë edhe Korçën, po kemi ardhë për këtë festë….Jemi dhe profesorë. Çdo herë vijmë që prej 90-ës”, tha ajo.
Gjatë vizitës, të pranishmit patën mundësi të njihen nga afër me historinë e Mësonjëtorja e Parë Shqipe, institucioni që hodhi themelet e arsimit në gjuhën shqipe dhe që konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Ekspozita është konceptuar në formën e një instalacioni artistik, duke ndërthurur dokumente historike, dhe materiale arkivore, që sjellin për publikun një rrëfim të veçantë mbi rolin e këngës patriotike në formimin e identitetit kombëtare.


