Shtetet e Bashkuara po punojnë me Ukrainën për një “Plan B” për të nxjerrë eksportet e grurit jashtë vendit pas sulmit të Rusisë në portin e Odesa-s, tha të dielën administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, shkruan CNN.
Sulmet erdhën vetëm një ditë pasi Kievi dhe Moska nënshkruan një marrëveshje për të lejuar eksportet e grurit nga portet ukrainase të Detit të Zi, duke shkaktuar zemërim dhe shqetësim për të ardhmen e një marrëveshjeje që synon të lehtësojë krizën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta.
“Plani B përfshin rrugë, hekurudha dhe lumenj dhe dërgimin e maunave dhe rregullimin e sistemeve hekurudhore në mënyrë që ato të lidhen me sistemet në Europë, për të filluar sa më shpejt eksporti i grurit,” tha Power.
Rreth 20 milionë tone grurë dhe misër janë bllokuar në portin e Odesës. Ajo tha se shpresonte që marrëveshja e grurit të jetë funksionale pavarësisht lëvizjes së Rusisë për t’i “kthyer menjëherë shpinën” marrëveshjes duke sulmuar Odesën – portin kryesor të përmendur në marrëveshje.
Javën e kaluar, SHBA njoftoi një ndihmë humanitare shtesë prej 1.3 miliardë dollarësh për Bririn e Afrikës, i cili po përjeton nivele të paprecedentë thatësire në Etiopi, Kenia dhe Somali.
“Më shumë se gjysma e grurit në vendin e Somalisë vjen nga Ukraina, dhe gruri është bllokuar në portin e Odesa”, tha Power.
/abcnews.al