Ekspertiza mjeko-ligjore: Në trupin e Ivanoviç u gjetën 6 fishekë të një arme të kalibrit të vogël

schedule19:58 - 16 Janar, 2018

schedule 19:58 - 16 Janar, 2018

6 plumba janë gjetur në trupin e politikanit serb Oliver Ivanoviç, i cili u vra mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës. Sipas rezultateve të autopsisë së kryer nga ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës rezulton se Ivanoviç u qëllua me një arme të tipit Zastava, ndërsa grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Autoritetet kosovare kanë përfunduar autopsinë për kryetarin e SPD, Oliver Ivanoviç, i vrarë para zyrës së tij mëngjesin e së martës në Mitrovicën e Veriut. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë gjetur në trupin e të ndjerit gjashtë plumba që i përkasin një arme të tipit “Zastava”, e cila është prodhim serb. Autopsia është kryer nga mjekoligjorët e Kosovës në rajonin e Mitrovicës.

Arsim Gerxhaliu, drejtori i institutit të mjekësisë ligjore Kosovë: “Eshtë qëlluar nga predhat të liruara nga arma e zjarrit në regjionin e kafazit të kraharorit. Shumica e predhave e kanë goditur në pjesën e pasme të shpinës ndërsa dy të tjera në pjesën anësore dhe atë të përparme. Nga aspekti mjeko- ligjor e kemi atë, se ai ka qenë në largësi mbi një meter. Ekipi ynë ka qenë i kompletuar. Kam qenë unë duke udhëhequr, doktoresha Bergita Curri, katër teknikët, fotografi. Autopsia është kryer nën udhëheqjen time. Hetuesia e policisë së Kosovës ka qenë aty si dhe forenzika. Po ashtu kemi pasur edhe dy mjeko- ligjor të Serbisë që vetëm kanë monitoruar”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla, konfirmoi se dy prokurorë nga kjo prokurori kanë nisur hetimet për vrasjen e liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”. Syla shton se aktualisht nuk ka të dyshuar për vrasjen e politikanit. Gjithashtu edhe Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka nisur një hetim paraprak për vrasjen e Oliver Ivanoviç në veri të Mitrovicës. Prokuroria i paraqiti një kërkesë Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe Agjencisë së Informacionit të Sigurisë për mbledhjen e informacionit të nevojshëm në drejtim të veprës penale “Terrorizëm”, thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, ministria e Brendshme e Kosovës, bëri me dije se në zbardhjen e rastit në fjalë është përfshirë edhe KFOR-i. Policia e Kosovës që po heton rastin ka thënë jozyrtarisht për Klan Kosovën, se ka gjetur prova në vendin e ngjarjes, por nuk ka dhënë shumë detaje.

“Besohet se personat e parë që e kanë parë trupin e pajetë të Oliver Ivanoviçit kanë qenë disa fëmijë, të cilët po shkonin në shkollë. Politikani serb i Kosovës është qëlluar me plumba në shpinë, nga një makinë, e cila ka qenë duke lëvizur me shpejtësi”.

Kjo është konfirmuar nga avokati i të ndjerit. Ndërkohë, “Novosti.rs” shkruan se me kërkesë të familjes, Ivanoviç do të varroset të mërkurën ose të enjten në varrezat e reja të Beogradit. Kjo media nënvizon se autorët e vrasjes kanë përdorur armë zjarri me silenciator.
Kohë më parë, vetë i ndjeri ka deklaruar se ndjehet i pasigurt për jetën e tij. Ivanoviç ka përjashtuar gjithmonë shqiptarët si agresorë potencialë, ndërsa frika e tij më e madhe gjendje tek serbët dhe kundërshtarët politikë./abcnews.al