Eksperti zbulon produktet që nuk duhet të mungojnë këtë verë në frigoriferin tuaj: Bëni kujdes me bukën

schedule11:09 - 19 Korrik, 2023

schedule 11:09 - 19 Korrik, 2023

Agronomi Hajredin Toca ka dhënë të gjitha këshillat e duhura që i nevojiten çdo familje shqiptare në këtë valë të nxehti që ka pushtuar vendin.

I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai zbuloi pse frigoriferi është një mjet i domosdoshëm, edhe pse ka disa produkte si për shembull, buka, që nuk duhet ruajtur në të sepse krijon lagështi.

“Frigoriferi sot është një mjet i domosdoshëm, për faktin që jo çdo kush ka kushte dhe rrethana të tjera për t’i ruajtur ushqimet se produktet mund të ruhen dhe jashtë frigoriferit kur i ke mundësitë. Ne po flasim për një popullësi qytetare që nuk i ka kushtet private dhe mundësitë për t’i ruajtur jashtë frigoriferit.

Periudha e lënë jashtë frigoriferit varet nga lloji i perimeve dhe lloji i frutave, por lënia është shumë e shkurtër. Për mendimin tim, ruajtja në frigorifer është e domosdoshme.

Nuk mendoj që buka duhet ruajtur në frigorifer. Në frigorifer, ne kemi lagështi, pavarësisht se ti e mbështjellë”, tha agronomi.

Më tej, ai tregoi dhe produktet që nuk duhet të mungojnë këtë verë në frigorifer, veçanërisht prodhimet e stinës.

“Produktet që nuk duhet të mungojnë këtë verë në frigorifer, janë prodhimet e stinës. Në përgjithësi, në periudhën e verës, duhet të jenë me përmbajtje të lartë uji, kemi frutat dhe perimet. Duhet të konsumohen në çdo familje. Në këtë periudhë që po flasim jemi në momentin kur sapo kanë filluar të konsumohen rrushi, fiqtë, kastravecat. Mos të harrojmë që kemi pjeprat dhe shalqinjtë, që zgjedhja e tyre është një sfidë me vete.

Duhet të konsumojmë sa më shumë drithëra, që të marrim sa më shumë aminoacide, që do të thotë po munguan ato, ti nuk ke të ushqyerit e shëndetshëm”, u shpreh Toca./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!