Ledion Krisafi, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News analizoi zhvillimet e luftës në Ukrainë, si edhe propozimin amerikan për paqen.
Gjatë intervistës, Krisafi tha se nëse lufta vazhdon në këtë mënyrë “sfilitëse”, me shumë gjasë Rusia mund ta marrë Donetsk, kjo mund të dojë dy vite apo më shumë, por nëse është me këtë ritme, mund ta marrë.
“Europa nuk niset nga ajo që është krijuar në terren, ndërsa amerikanët nisen nga viti i katërt i luftës. Pra Evropianë nuk janë në Moskë sepse narrativa Europiane nuk i shërben arritjes së një marrëveshjeje mes palëve. Nga ana tjetër Rusët mendojnë se janë duke e fituar luftën dhe ata shkojnë me idenë se nuk kanë pse të pranojnë minimumin kur mund të pranojnë më shumë në terren”, tha Krisafi.
Ai shtoi se Rusia nuk ka treguar asnjë dëshirë që mund të arrijë marrëveshje.
Nga ana e tij koloneli, Sami Neziri tha se në front Rusia po ecën me ritme shumë të ngadalta. Gjithashtu thekso se forcat ruse kanë pasur një përparim shumë të ngadaltë ndryshe nga çfarë pretendon në luftën në Ukrainë.
“Nuk ka një përparim të qenësishëm. Është një përparim shumë i ngadaltë. Dhe në këtë mënyrë, i bie që Ukraina do pushtohet nga fundi i këtij shekulli. Ka shumë të dhëna, por nuk duhet të harrojmë edhe propagandën ruse që mundohet ta paraqesë sikur është duke fituar. Tani ajo do që Donetsk ta marrë në planin e paqes në tavolinë duke qenë se nuk ka arritur ta marrë në luftë. Rusia kërkon të vendosë qeveri ‘kukull’ në Ukrainë. Të ketë mundësi të ndërhyjë dhe të mos hasë këtë kundërshti që has sot”, tha ai.

