Eksperti i OKB: Julian Assange, nën torturë psikologjike

schedule19:19 - 31 Maj, 2019

schedule 19:19 - 31 Maj, 2019

Një ekspert i Kombeve të Bashkuara ka denoncuar se themeluesi i portalit të lajmeve Uikiliks, Julian Assange ndodhet nën presione të forta psikologjike dhe u ka bërë thirrje autoriteteve britanike që të mos e ekstradojnë atë në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertë të OKB-së kanë deklaruar se themeluesi i Uikiliks, Julian Assange është ekspozuar për një periudhë të gjatë ndaj torturave psikologjike. Nils Melzer, nga Kombet e Bashkuara, i ka bërë thirrje autoriteteve në Britaninë e Madhe që të mos e ekstradojnë Assange, duke paralajmëruar se të drejtat e tij do të shkeleshin dhe se ai nuk është në gjendje t’u bëjë ballë gjyqeve.

Gjithashtu, Melzer ka akuzuar disa shtete demokratike se janë përpjekur që përmes dhunës psikologjike të thyejnë vullnetin e themeluesit të Uikiliks. Por sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Jeremy Hant ka reaguar duke thënë se Assange zgjodhi t’i fshihej drejtësisë dhe jo të përballej me të.

Hant ka theksuar se, ekspertët e OKB-së duhet t’u lejojnë gjykatave britanike të bëjnë gjykimin e tyre pa ndërhyrë dhe pa ngritur akuza të rënda. Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë britanike të Drejtësisë ka deklaruar gjithashtu se, Mbretëria e Bashkuar nuk ka marrë pjesë në tortura dhe se qeveria në tërësi nuk bie dakord me konstatimet e zotit Melzer sa i takon dhunës psikologjike ndaj Assange.

“Tek ne gjyqtarët janë të pavarur nga qeveria dhe kushdo që dënohet është i lirë ta apelojë vendimin”, ka thënë zëdhënësi.

Por përfaqësuesi i OKB-së ka deklaruar se liria e Asange është e barabartë me atë të një njeriu që noton me varkë gome në mes të peshkaqenëve. Aktualisht, themeluesi i Uikiliks po lufton ekstradimin në Shtetet e Bashkuara ku akuzohet për publikim të dokumenteve sekrete./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!