Ekspertët e OKB-së: Izraeli shkeli ligjin ndërkombëtar duke sulmuar konsullatën iraniane në Damask

schedule17:36 - 16 Prill, 2024

schedule 17:36 - 16 Prill, 2024

Sulmi i Izraelit ndaj konsullatës iraniane në Damask përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar, thuhet në një raport të ekspertëve të pavarur të OKB-së.

Grupi i ekspertëve të pavarur u emërua nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Në të njëjtin raport, raportuesit specialë dhe ekspertët e pavarur deklarojnë gjithashtu se “sulmet ushtarake hakmarrëse midis Izraelit dhe Iranit shkelin të drejtën për jetë dhe duhet të ndalen menjëherë”.

Në veçanti, raporti thekson se “Të gjitha vendet janë të ndaluara të privojnë në mënyrë arbitrare të drejtën e jetës së individëve në operacionet ushtarake jashtë vendit, duke përfshirë edhe përballjen e terrorizmit. Vrasjet në tokë të huaj janë arbitrare kur nuk lejohen sipas ligjit ndërkombëtar”.

Ekspertët vënë në dukje se Izraeli nuk duket se ka vepruar në vetëmbrojtje më 1 prill, sepse nuk ka paraqitur prova se Irani po kryente një “sulm të armatosur” të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit ose se po dërgonte grupe të armatosura joshtetërore për ta sulmuar atë. Ekspertët thonë se Izraeli nuk dha ndonjë justifikim ligjor për sulmin ose nuk e raportoi atë në Këshillin e Sigurimit, siç kërkohet nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Prandaj, sulmi i Izraelit shkeli ndalimin e përdorimit të forcës së armatosur kundër një shteti tjetër sipas nenit 2(4) të Kartës, thanë ekspertët.

Teherani ka fajësuar Izraelin për sulmin në kompleksin e tij diplomatik në kryeqytetin sirian, i cili vrau udhëheqës të lartë ushtarakë. Izraeli as e konfirmoi dhe as e mohoi operacionin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!