EKSKLUZIVE/ Vrau hasmit e Çapjave, Greqia vendos ekstradimin e Olsi Lekut, dëshmon në GJKKO vajza e familjes Beqiri

schedule22:18 - 16 Shkurt, 2022

schedule 22:18 - 16 Shkurt, 2022

ABC mëson ekskluzivisht se Greqia ka vendosur për të ekstraduar drejt Shqipërisë, vrasësin me pagesë Olsi Leku, i cili njihet si anëtarë i grupit të Çapjave në Elbasan. Burime për ABC, bëjnë të ditur se në të njëjtën kohë, në GJKKO është zhvilluar një tjetër seancë, për grupin e strukturuar kriminal të Çapjave.

Ditën e sotme ka dëshmuar në GJKKO vajza e Nezir Beqirit i cili u vra bashkë me të birin e tij Gentian Beqiri, në gusht të vitit 2012. Mësohet se vajza e familjes Beqiri është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie për të dëshmuar në sallën e gjyqit.

Një burim i tha ABC, se Olsian Leku, pritet t’i ofrohet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi ka dyshime të forta se ai është i përfshirë edhe në shumë ngjarje të tjera kriminale në Elbasan, kjo për llogari të grupit të Çapjave.

Olsi Leku i arrestuar në Athinë për shkak të kërkesës së Interpol Tiranës, pasi është i dyshuar për vrasjen e Gentjan Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqirit në gusht të 2012, dyshohet të jetë edhe autori i ekzekutimit të vëllait të ish Agjentit të Policisë Roland Rexhepi, biznesmenit dhe presidentit të një firme private rojesh, të ekzekutuarit Ilir Rexhepi vrasje e ndodhur në qendër të qytetit të Elbasanit buzë një lokalit që viktima Ilir Rexhepi sapo e kishte lënë.

Siç mëson ekskluzivisht Abc News, Olsi Leku dyshohet të jetë autori i këtij ekzekutimi nisur nga karakteristikat që disponon policia e Elbasanit nga kqyerja e Kamerave të sigurisë në atë zonë.

LEXO EDHE: Saga e përplasjeve të përgjakshme, si nisi kalvari i vrasjeve në Elbasan në vitin 2005

Siç mësohet në datë 30 Dhjetor 2011, Ilir Rexhepi sapo është ngjitur në mjetit tip Benz me ngjyrë gri në afërsi të derës së parme të pasagjerit i është afruar një person i cili e ka qëlluar atë me gati 11 plumba nga një armë e modifikuar,Rexhepi edhe pse është përshkuar disa herë nga plumbat ka mundur të nxjerrë nga kroskoti i makinës një armë tip pistoletë me të cilën ka mundur të qëlloj vetëm një herë ndaj ekzekutorit i cili ka mundur të largohet edhe pse i plagosur.

Burime për Abc News bëjnë me dije se autori ka mundur të ecë disa metra derisa është futur në rrugicën ku ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare Thoma Kalefi.

Policia pas ngjarjes mundi të mbledhë prova mes të cilave  një kampion gjaku i cili gjatë krahasimeve që i është bërë kësaj mostre gjaku nuk është përputhur me atë të viktimës,ç’ka ka lënë të nënkuptohet se i përket autorit që  i ka marrë jetën Ilir Rexhepit.

Pas ngjarjes Policia në atë kohë ndaloj për disa ditë shtetasin Bledar Muça (i vrarë së fundmi në Belgjikë), por pasi ju mor mostra e gjakut këtij shtetasi rezultoi se nuk kishte përputhshmëri nëpërmjet analizës së ADN-së.

Policia dhe prokuroria e Elbasanit pritet që pas ekstradimit të Olsi Lekës në Shqipërisë nga Greqia t’i  marrë këtij të fundit analizën e gjakut për ta krahasuar atë me gjurmën e gjakut që policia gjeti në vendin ku u ekzekutua Ilir Rexhepi, sipas të dhënave ka dyshime të forta që implikojnë Olsi Lekun.

Më herët Gjykata e Posaçme ka përfunduar një tjetër seancë për grupin e Çapjave. Burime për ABC bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje tre dëshmitarë, të cilët i penduari Ervis Bardhi ka qëndruar me ta gjatë kohës që ishte në burg.

Ndërkohë GJKKO ka lënë detyrë prokurorisë që të vijojë hetimet e mëtejshme për të hedhur dritë në lidhje me komunikimet që Ervis Bardhi kishte gjatë kohës që ndodhej në burg.

Lexo edhe: Dubai rrëzon kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Florenc Çapjas, gruaja e tij pagoi 55 mijë dollarë për ta liruar

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi nën hundën e Policisë, ndërkohë që Çapjat nuk e pranuan asnjëherë të jenë ata autorët e asaj ngjarjeje të rëndë. Në këtë çështje, pretendohet se personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë dhe të flasë, duke treguar gjithçka ka ndodhur ditën e vrasjes.

Si pasojë e dëshmisë së tij dhe provave të mbledhura, fillimisht Prokuroria arrestoi Ardjan Çapjan dhe tre persona të tjerë në Elbasan. Ndërsa në kërkim u shpallën Jorgo (Olsi)  Leku dhe Florenc Çapja, të cilët tashmë gjenden në vendet respektive Athinë dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Së fundmi Shqipërisë i është mohuar kërkesa për ekstradimin e Florenc Çapjas i cili ndodhet në Dubai. Raportohet se gruaja e tij pagoi rreth 55 mijë euro për ta liruar nga qelia me kusht. /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!