EKSKLUZIVE/ Vrasje, intriga, thasë me para dhe tradhti: Gjithçka nga dëshmia e bujshme e Henrik Hoxhajt për Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën

schedule14:15 - 23 Maj, 2022

schedule 14:15 - 23 Maj, 2022

Henrik Hoxhaj ishte një ndër ushtarët e besuar të grupit të Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit deri në momentin që këta u prishën pas vrasjes së Emiljano Ramazanit në Elbasan. Madje, siç thotë vetë në dëshminë e dhënë para prokurorëve të SPAK të siguruar nga ABC, Hoxhaj ka marrë pjesë në të paktën një vrasje bashkë me Nuredin Dumanin.

Bëhet fjalë për ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhija në Durrës. Bashkëpunëtori i tretë i tyre ishte Klevis Alla, i cili pranoi të bëhej i penduari i drejtësisë duke rrëfyer të gjithë kalvarin e vrasjeve deri në atë moment.

Por marrëdhënie e Henrik Hoxhajt me Dumanin nuk fillon dhe as mbaron këtu. Hoxhaj rezulton të ketë marrë porosi nga Nuredin Dumani për vrasje dhe ngjarje të tjera kriminale deri në momentin kur u nisën për të vrarë Elton Kilën në Elbasan, ku gjatë kthimit pasi nuk ia kishin arritur qëllimit, Dumanit i bëhet atentat. Ky është momenti ku sipas prokurorëve, Dumani u tradhtua dhe pak orë më pas ai njoftoi vetë efektivët e policisë.

Më poshtë sjellim disa nga ngjarjet më të bujshme të rrëfyera nga Henrik Hoxhaj, të cilat ai thotë se i ka realizuar vetë, në bashkëpunim apo thjesht si porosi të Nuredin Dumanit:

Ekzekutimi i Dorjan Shkozës: Ai u lut të mos e vrisnin, por Henrik Hoxhaj e qëlloi në kokë

Durrësit u trondit mbrëmjen e 2 marsit të vitit 2020, ku dy persona u ekzekutuan me armë në lagjen nr.14 Nishtulla. Viktima të ngjarjes mbetën Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Së fundmi autorët dhe organizatorët e kësaj vrasje, Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani kanë dëshmuar para hetuesve këtë ngjarje të rëndë. ABC ka siguruara dëshminë e Henrik Hoxhajt. Ai ka treguar me detaje se si do kryhej vrasja.

Në lojë për vrasjen e Dorjan Shkozës ishin 70 mijë euro, ndërsa ai vetë do të merrte 35 mijë. Sipas Henrik Hoxhajt vrasjen do e kryente për pak lek pasi bëhej fjalë për çështje personale. Përveç Henrik Hoxhajt, Nuredin Dumani për të kryer “punën” kishte pajtuar edhe Eljon Bitrin nga Elbasani, vëllai i Lulzim Bitrtit i cili u vra disa kohë më parë në Elbasan.

Lexo edhe: DËSHMIA/ “I çova byrek me spinaq, gatuar nga nëna ime”. Atentati i fundit: Si Nuredin Dumani kuptoi se e tradhtuan

Eljo ka qenë në drejtimin e makinë me të cilën u krye vrasja. Në këtë vrasje janë përdorur tre armë dy pistoleta të thjeshta dhe një me mulli. Duke udhëtuar nëpër Nishtullë, ata kanë pikasur objektivi më të cilët janë shkëmbyer paralel.

“ Unë i thash të mos i jepte gaz por të kthehej. Kur u kthyem Eljo më tha se personi që do vrisnim qenka në trotuar pasi ai e njihte. Unë i thash që mbaje makinën dhe sapo Eljo ndaloi unë kam qëlluar me dy pistoleta pa e hapu xhamin e makinës.

Në këtë moment njëri nga dy personat ra në tokë ndërsa objektivi Dorjan Shkoza bërë disa hapa dhe më pas ra në tokë. Kam dalë nga makina dhe i plagosuri më tha se nuk jam unë. Unë e pyeta Eljon nëse është ky apo jo dhe ai mu përgjigj që ai ishte, atëherë e kam qëlluar dy herë të tjera në  kokë.

Më pas hipa në makinë dhe jemi larguar . Unë mora makinën time për në Tiranë dhe kalova edhe një postbllok policie por u largova. Armët i kemi lënë në makinë dhe Eljo e ka djegur në Shkumbin.” mësohet të ketë thënë Henrik Hoxhaj.

Ekzekutimi i vëllezërve Haxhija

Vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj, tronditi opinionin publik, pasditen e 27 prillit 2020. Ky eliminim u krye pikërisht nga Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, të cilët pas arrestimit kanë rrëfyer edhe krimet e kobshme të tyre. Dy vëllezërit u ekzekutuan me armë rreth orës 16:40 te tregu i makinave në Shenavlash, te zona e Nishtullës.

Ndërkohë ABC ka zbardhur dëshminë e Henrik Hoxhajt lidhur me këtë vrasje. Ai shprehet se për këtë “punë” gjatë kohës së pandemisë është kontaktuar nga Nuredin Dumani për eliminimin e Besmir Haxhiajt, për një shumë prej 70 mijë eurove.

Në këtë punë, Henrik Hoxhaj rrëfen para hetuesve se Nuredin Dumani ka marrë pjesë edhe vetë. Pasi janë siguruar mjetet me të cilën do kryhej krimin, një makinë tip “Toyota” ngjyrë e errët si dhe tre kallashnikovë.

Lexoni KËTU gjithçka mbi Nuredin Dumanin

Më tej Henrik Hoxhaj shprehet se në pritë Besmir Haxhiajn  e ka nxjerrë Klevis Alla i cili ishte edhe shofer i makinës tip “Toyota”. Ata kanë lënë takim për tek pazari i makinave. Besmir Haxhiaj kishte qenë bashkë me të vëllanë. Në këtë moment makina e autorëve ka dal paralel me të dy vëllezërve Haxhia dhe në këtë moment është hapur zjarr ndaj tyre.

“Nuredini zbriti nga makina dhe gjuajti përsëri por në këtë moment atij i ngec automatiku dhe unë duke parë këtë gjë hapa derën dhe mora automatikun tjetër dhe gjuajta dhe disa fishekë drejt Golfit, dhe më pas ika. Nuk e mbaj mend se nga cila rrugë ikëm. Unë dhe Dumani kemi hipur në makinë, në një mjet tip Benz dhe jemi larguar drejt Tiranës. E pyeta Dumanin nëse shoferi e kishte djegur mjetin apo jo. Dumani më tha që e kishte djegur. Më pas mora vesh në media që ishte kapur shoferi ynë Klevis Alla bashkë me makinën. Kur kam parë fytyrën e tij në TV e  pashë se ishte i njëjti person që ishte në makinë me mua dhe Nuredinin.” mësohet të jetë shprehur Henrik Haxhiaj.

18 të arrestuar dhe 14 në kërkim, janë të akuzuar për një sërë krimesh nga operacioni ‘Plumbi i artë’ i SPAK, ndërkohë 18 të prangosurit u lanë me masën ‘arrest me burg’ nga GJKKO. Dy të penduar të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin.

Vrasja e Emiljano Ramazanit

Që në momentin e arrestimit të Erion Alibejt, prokuroria theksoi se kishte prova se ishte porositësi i vrasjes së Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej në fund të dhjetorit 2018 në hyrje të Elbasanit bashkë me dy persona të tjerë.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ “Hajde se më qëlluan”, zbulohet kush e tradhtoi Nuredin Dumanin. Shkoi për të vrarë, por ra në pritë në Papër

Duket se provave të prokurorisë i shtohen edhe dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës, të cilët konfirmojnë se kishin organizuar dhe kryer vrasjen e Ramazanit bashkë me Skerdi Tasin.

Në lidhje me vrasjen e Emiljano Ramazanit, bashkëpunëtori i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj rrëfen se të gjithën e kishte organizuar Dumani, ndërsa këmbëzën e kishte shkelur Skerdi Tasi, ndërkohë që ai kishte qenë shofer. Të dy ata morën nga 45 mijë euro për këtë vrasje sipas dëshmisë së Henrik Hoxhajt në dosjen hetimore të siguruar nga ABC.

Më poshtë, dëshmia e  Henrik Hoxhajt:

Prokurori: A jeni i implikuar në ndonjë ngjarje tjetër kriminale në Elbasan apo ndonje qytet tjetër të Shqipërisë, nëse po na tregoni rrethanat?

Pergjigje: Po jam i implikuar edhe ne disa ngjarje ne qytetin e Elbasanit dhe konkretisht kam për të deklaruar se:

Në verën e vitit 2020 shtetasi Nuredin Dumani me kontakton përsëri e me pyeti nëse isha i interesuar të bëja nje vrasje në Elbasan për shumën 100 mijë euro. Këtë vrasje unë e mora përsipër ta kryeja sëbashku me shtetasin Skerdi Tasi nga fshati Frakull i Fierit.

Unë kam rënë dakort në parim për te marre pjesë në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani por duke qenë se më ështe kerkuar që pas ngjarjes pistoletën e vrasjes ta hidhja në një servis makinash në Peqin me qellim per të akuzuar per vrasjen dikë tjetër dhe unë nuk kam pranuar shuma është ulur në 90 mijë euro nga 45 mijë euro njera pjesë për mua dhe pjesa tjetër për Skerdin qe do të ishte ekzekutori.

Ne këtë vrasje unë do të isha shofer i makinës. Nuredin Dumani ka organizuar gjithcka që kishte lidhje me vrasjen fhe me ka treguar makinën me të cilën levizte Emiljano Ramazani. Nuredini gjithashtu ka siguruar nje automjet tip Passat benzine (ngjyrë e kalter në gri). Makinen passat unë e kam marre aty te vendi ku ishte djegur pas ngjarjes.

Aty e kishte lëne Nuredini dhe sëbashku me mjetin ka siguruar edhe ka lënë brenda mjetit një armë automatik kallashnikov, nje pistoletë model TT ruse dhe një pistoletë model Zastava tê cilat ishin tek pasati.

Pasi mora porosinë jam takuar me Skerdin dhe së bashku me të kam lëvizur neper qytet (Elbasan) duke mbajtur në vêzhgim Emiljanon me qëllim për të kryer punën. E kemi ndjekur disa herë nepër qytet Emiljanon por pa mundur të mbaronim punë dhe për të mos rrezikuar jemi tërhequr.

Ditën kur kemi mundur do ta kryenim vrasjen ne kemi ditur që meth orës 16.00 Emiljano do të dilte nga palestra ku stërvitej dhe sapo ai ka dale nga palestra ne u parkuam para shtëpisë së tij me qëllim për ta pritur duke ditur që do të vinte aty. Rreth orës 16.00 Emiljano Ramazani ka ardhur me makinën e tij Ford Fokus me targa AA945 ose 954 dhe është parkuar para shtëpisë dhe në këtë moment unë si drejtues mjeti i kam dhënë mjetit pak më perpara dhe kam mbushuar automatikun.

Njekohësisht nga dera pasagjerit Skerdi ka dalë nga passati jone dhe është afruar tek mjeti Ford i Emiljanos por unë nuk kam parë momentin e qitjes pasi nuk kisha fushëpamje. Pasi ka mbaruar punën Skerdi ka hypur tek mjeti passat dhe pasi unë e pyeta nëse kishte goditur mirë ai më tha se kishte mbaruar punë.

Më pas jam nisur me mjetin Passat dhe kam marre kthesën e parë djathtas për të dale në rrugën dytësore e cila te nxjerr drejt tek Rotondo tek karburant “Alpet’ dhe më pas kam vazhduar rrugën deri ne Vidhas me mjetin Passat dhe diku në nje xhep rruge unë kam ndaluar makinën kam zbritur nga dretimi dhe kam marrë mjetin tim Golf 5 që e kisha parkuar aty me qëllim largimin.

Mjetin passat e mori Skerdi i cili morri rrugen për lart në një monopat mbi rrugën ku ishim ne dhe e ka djegur mjetin e ngjarjes. Pasi dogji mjetin e ngjarjes Skerdi hipi tek mjeti im që e kisah marrë me qera dhe të dy jemi nisur per Tirane. Dy tre dit pas ngjarjes unë kam takuar Nuredinin tek rrethrrotullimi i “Teg” dhe ai me ka dhenë aty shumën prej 77 mijë euro që kishte premtuar për vrasjen pasi nga shuma 90 mijë euro kishte zbritur 13 mijë euro shumën e makinës Passat të përdorur për ngjarjen.

Më sa kam marrë vesh unë nga Nuredin Dumani i cili më ka treguar vetë pas ngjarjes se pistoletën e vrasjes që u përdor per Emiljano Ramazanin e kishte hedhur tek servisi në Peqin shtetasi Klevis Kapllani, por unë nuk e kam njohur këtë person. 

Porosia për të vrarë vëllain e Talo Çelës

Henrik Hoxhaj në dëshminë e tij para SPAK, thekson se në fund të shtatorit në vitin 2020, Nuredin Dumani i ka kërkuar që të kryej në Elbasan vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Celës. Për këtë vrasje Dumani i kishte ofruar Henrik Hoxhajt një shumë prej 60 mijë eurosh.

Fillimisht Henrik Hoxhaj dëshmon se e ka pranuar punën dhe kishte filluar t mblidhte të dhëna për shënjestrën e radhës. Sipas Henrik Hoxhajt, Bujar Çelën e ka ndjekur teksa ai punonte si taksist nëpër qytet.


Ai shton se personi në fjalë i është dukur hallexhi dhe kështu ai vetë nuk ka qenë i predispozuar për ta bërë si punë, dhe për këtë arsye ai e ka shtyrë kryerjen e vrasjes. Pas disa kohësh Nuredin Dumani, dëshmon Henrik Hoxhaj, i ka çuar SMS duke thënë se e bëri atë punën e Çelës.

“Në një moment kam dyshuar se Nuredin Dumani ka vrarë Talon, por në televizor kam parë se kishte vrarë Bujar Çelën që unë nuk e kisha kryer si porosi” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoixhaj.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur më 17 shtator 2020, Nuredin Dumani ka rrëfyer edhe versionin e tij për vrasjen e vëllait të Talo Çelës.

Rrëfimi i Nuredin Dumanit për vrasjen e Bujar Çelës

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa).

Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim.

I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu.

Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam. Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri.

 Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes.

Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar.

Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela.

Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault.

Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët.

Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend.

Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje.

Atentati ndaj Lulzim Mashës

Në janar të këtij citi biznesmeni Lulëzim Masha ra pre e një atentati në mes të Tiranës. Ndaj tij u qëllua disa herë por plumbat nuk e kapën. Së fundmi janë zbardhur detaje të reja nga ky atentat. Mësohet se pas tentativës për ta eliminuar fshihen pikërisht dy vrasësit serial Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani, të cilët kanë pranuar të rrëfejnë krimet pas arrestimit.

Henrik Hoxhaj, “killeri” i cili bashkë me Nuredin Dumanin kanë pranuar të rrëfejnë krimet e tyre ndër vite pas arrestimit, rezulton i përfshirë edhe në atentatin ndaj Lulëzim Mashës, administrator i një shkolle private në Tiranë.

Në dosjen që ABC siguron rezulton që Henrik Hoxhaj të jetë shprehur se në janar të vitit 2022, ka qenë pjesëmarrës në atentatin e ndodhur ndaj Lulëzim Mashës, i cili udhëtonte me një makinë ML tek diga e Liqenit.

Henrik Hoxhaj tregon se kishte pajtuar Skerdi Tasin për të vrarë Lulzim Mashën.

Ai kishte qëlluar ndaj biznesmenit por nuk e kishte eliminuar dot. Ndërkohë sipas Henrik Hoxha, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritje djali i Lulëzim Mashës, pasi mashtronte njerëzit dhe u merrte para.

Duke qenë se djali fshihej në Maqedoni “porositësit” kanë tentuar të vrasin babanë e tij.

“Nuredin Dumani nga mesi i viti 2021 më ka shkruar dhe më ka ofruar 100 mijë euro nëse kryeja vrasjen e Lulzim Mashës. Unë e kam marrë përsipër për ta kryer bashkë me Skerdi Tasin këtë vrasje.

Pas rreth 8 muajsh në Janarin e 2022, bashkë me Skerdin jemi nisur për të kryer vrasjen. Të dy kemi qenë në Tiranë dhe unë kam patur një makinë ML gri me qira. E lash Skerdin tek diga e Liqenit që të priste Lulzim Mashën.

Jemi takuar pas 45 minutash tek furgonat e Fierit ku ai ishte me këmbë pasi kishte qëlluar ndaj Lulzim Mashës. Ai më tha se i kishte qëlluar por nuk e kishte vrarë dot dhe ishte larguar në këmbë. Armën më tha se e ka hedhur në liqen. Unë kam pyetur Nuredin Dumanin se pse duhej të vritje Lulzim Masha dhe Dumani më tha se në fakt duhej të vritje djali i Lulzim Mashës.

Sipas Dumanit ai mashtronte duke u marrë para njerëzve dhe fshihej në Maqedoni. Nuk kam dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi.” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoxhaj.

Rreth 3 muaj pas atentatit të dështuar ndaj Lulëzim Masha, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë, është vënë në pranga një 31-vjeçar.

Pas hetimeve që kanë zgjatur për disa javë, policia ka identifikuar me prova dhe dëshmi përfshirjen e Skerdi Tasit në ngjarje, ku tashmë i riu është arrestuar.

Ai akuzohet për dy vepra penale, “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

31-vjeçari qëlloi me 3 plumba në drejtim të automjetit tip “Mercedez Benz ML”, ku Lulëzim Masha po lëvizte, dy prej plumbave kapën në makinën e 63-vjeçarit.

Porosia nga burgu: Vrit Filip Gjeloshin se më shau në telefon

Henrik Hoxhaj është shprehur para hetuesve se në shkurt të viti 2011, ka marrë porosi nga Ardian Ozuni i cili aktualisht ndodhet në burg për ngjarje të tjera kriminale. Ky person mësohet se i ka ofruar 50 mijë euro Henrik Hoxhajt për të eliminuar fizikisht Filip Gjeloshin.

“Më ka dhënë 10 milion paradhënie për shpenzimet” është shprehur Henrik Hoxhaj para hetuesve.

Arsyeja se pse donte ta vriste Filip Gjeloshin kishte qenë një kërcënim që ky i fundit kishte bërë ndaj Ardian Ozunit. Sherri mes tyre ka ndodhur pasi Ozuni kishte rrahur nipin një person të afërt të Filipit.

“E kam mbikëqyrur disa herë shënjestrën tek lokali i tij “Lekbibaj”, derisa vendos momentin e duhur për ta kryer punën. Unë kam pasur një Fiat Punto të bardhë pa dokumente me targa italiane dhe brenda makinës kam pasur kallashnikovin me silenciator. Kallashin ma ka gjetur Ardiani i cili njihej edhe si “Cufi” dhe përveç armës ai më bleu edhe një silenciator që e provuam nëse punon tek karburanti i tij në Allias.”

“Ditën e ngjarjes mbaj mend që ka qenë  errësirë dhe unë isha parkuar afër lokalit që ky person kishte tek rruga “Siri Kodra” në Tiranë dhe po e prisja Filipin të vinte. Ai ka ardhur me një Mitsubishi me targa angleze. Ai ndaloi në kthesë dhe kam dalë nga makina ime dhe kam qëlluar me breshëri ndaj tij. Kam parë një femër në makinë dhe duke qenë se nuk doja ta dëmtoja atë kam ndaluar zjarrin dhe nuk kam qëlluar më. Jam futur në makinë dhe jam larguar nga drejtimi i sipërm pasi i trembesha postblloqeve në Paskuqan. Më pas pashë në televizor se ai ishte plagosur nga atentati por nuk u mora më me atë punë.” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoxhaj.

Filip Gjeloshaj është një emër i përmendur gjatë në kronikat e zeza të medias. Që në moshën 20-vjeçare është akuzuar për një vrasje në qytetin e tij të Tropojës, akuzë për të cilën u arrestua por nuk u provua asnjëherë.

Në vitin 2003 ishte në burg kur i ka dalë në krah të dënuarit përjetë Zani Caushi, në hasmërinë që vijon edhe në burg mes tij dhe Gaxhait. Për këtë shkak në burg u plagos me thikë.

Gjeloshi ishte në burg i arrestuar për plagosjen e elektricistit Shpëtim Beqiri fare pranë banesës së tij në rrugën “Siri Kodra”.

Pas lirimit edhe nga arrestimi i vitit 2006, kur akuzohej për tentativën e vrasjes së një personi në Allias, Gjeloshaj në vitin 2011 do t’i shpëtonte mrekullisht një atentati me armë ku mbeti i plagosur.

Atentati i fundit: Nuredin Dumani erdhi për të vrarë “Otin e Elbasanit”, por ra në pritë

Referuar të dhënave hetimore nga SPAK, ABC mëson se në ngjarjen e ndodhur më 29 Mars, Nuredin Dumani dyshohet se është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë. Rezulton që i vetmi që ka pasur dijeni për lëvizjet e Nuredin Dumanit, ka qenë bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj po ashtu i arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në Papër të Elbasanit. Burime për ABC bëjnë të ditur se nga të dhënat hetimore të SPAK, rezulton se Henrik Hoxhaj të ketë nxjerrë Nuredin Duamanin në pritë.

I pyetur në SPAK për ngjarjen e 29 marsit ku Nuredin Dumani, mbeti i plagosur, Henrik Hoxhaj ka ngritur alibinë se bashkë me Dumanin kishin shkuar në Elbasan për të vrarë biznesmenin Elton Kila. Dumani fillimisht ka kontaktuar Henrik Hoxhajn për të vrarë Elton Kilën (Otin e Elbasanit), por duke qenë se Henriku nuk po e gjente “porosinë” Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova.

Të njëjta burime, bëjnë të ditur për ABC se Henrik Hoxhaj ka dhënë koordinatat e sakta të Nuredin Dumanit tek atentatorët, të cilët dyshohet se u porositën nga Talo Çela për të vrarë Dumanin.

Nga atentati Nuredin Dumani mori një plumb në kurriz duke u plagosur rëndë. Ai ka telefonuar Henrik Hoxhajn duke i thënë se është plagosur. Më pas Henrik Hoxhaj ka shkuar tek vendi ku u plagos Dumani dhe më pas janë transferuar në Fier në banesën ku edhe u kapën nga policia. Dumani i plagosur pasi ka marrë mjekime paraprake ka ngritur dyshime tek miku dhe bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj, pasi sipas tij vetëm ai kishte dijeni për vendndodhjen.

Dumani ka ngritur dyshime se u tradhtua nga Henrik Hoxhaj dhe këto dyshime i ka kthyer në bindje. Në bashkëpunim me të dashurën e tij nga Kosova, Nuredin Dumani duke qenë edhe në gjendje të rëndë shëndetësore, rezulton që e ka telefonuar vetë policinë duke treguar vendndodhjen dhe duke mundësuar arrestimin e tij por edhe të mikut që dyshohet se e tradhtoj, Henrik Hoxhaj.

Si u arrestua Dumani?

Nuredin Dumanit, i dyshuar si autor i shumë vrasjeve të ndodhura në vitet e fundit, u kap në një apartament në lagjen “Apollonia” në Fier ku po merrte ndihmë mjekësore, pasi më parë ishte plagosur gjatë ngjarjes së ndodhur pasditen e 29 marsit, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në afërsi të fshatit Papër. Në vendin e ngjarjes u gjet vetëm kjo fuoristradë tip BMË me shenja plumbash dhe e braktisur.

Makina rezultoi me targa të vjedhura në Durrës në Prill të 2021, ndërsa brenda saj u sekuestrua një armë tip kallashnikov dhe një bidon me 5 litra benzinë. Këto të dhëna çuan hetuesit në dyshimet se mjeti do të përdorej në atentat. Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes u sekuestruan rreth 20 gëzhoja. Në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov. Fqinjët e Dumanit tregojnë ai jetonte në këtë apartament prej pak kohësh. Pas arrestimit, Dumani u dërgua fillimisht për ndihmë në Spitalin e Fierit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Emri i tij del në pjesën më të madhe te dosjeve për vrasjet e kryera në Elbasan, Peqin e Durrës në 2 vitet e fundit. Dosja kryesore në të cilën Dumani akuzohet si bashkëpunëtor i Talo Çelës, është ajo e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Pranverën e 2020-ës. Pas kësaj vrasje, dyshohet se marrëdhënia e tyre u prish, e kjo për shkak se Prokuroria e Elbasanit beson se Dumani është ekzekutor i Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Çfarë ka deklaruar Nuredin Dumani për ngjarjen në Papër:

Duke qenë se Henriku nuk po e gjente Otin Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova. Në deklarimet e tij shtetasi Nuredin Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat lidhur me këtë fakt penal dhe personat e përfshirë në kryerjen e këtij akti.

Çfarë ka deklaruar Henrik Hoxhaj për ngjarjen në Papër:

“Nuredinin e kam njohur tek ditëlindja e një mikut tonë të përbashkët. Njohja ime me Nuredinin ka qenë graduale dhe me kalimin e kohës unë e kam forcuar lidhjen time me të. Gjatë periudhës 3-4 vjeçare kontaktet nuk i kemi pasur të shpeshta me përjashtim të rasteve kur Nuredini më kërkonte ta ndihmoja për të bërë ndonjë punë periudha në të cilat i kemi shpeshtuar kontaktet dhe lidhjet me njëri tjetri.

Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë. Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan emrin e të cilit nuk e di, por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh e cila ndodhet përpara Restorant “Zykollari” në krah të një karburanti dhe mobilierie” – rrëfen Henrik Hoxha.

Më tej Henriku ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini me foto. Nuredini i ka premtuar se do të paguhej 70 000 Euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen.

Sipas SPAK, më datë 26.03.2022 kanë vajtur me Nuredinin për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë. Më tej Henriku shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan në datën 29.03.2022 për të mbaruar punën.

“Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15, unë dhe Nuredini, ai me BMV X5 me targa AA…. dhe unë me automjetin Benz me targa AA…. Unë isha para BMV për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për t’i hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se te shkosh te Jet Oil në Rrapëz.

Kam hedhur 30 mijë lekë naftë ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11.30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marre unazën dhe jam kthyer tek karburant “Feleqi” ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi Cërrikut.

Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë tek një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë.

Kam qëndruar tek lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka tek lokali “Eurodriza” tek Rotondo në hyrje të Elbasanit.

Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim, por kam fiksuar një Benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo Benz por ai më tha që donte parë ai mjet.

Unë e pashë mjetin por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin. Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë buke tek “Eurodriza” siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri tek lavazho te “Kadiu”.

Qëndrova tek lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin. Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim tek kryqëzimi Cerrikut.

Në një moment Nuredini më pyeti me SMS duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur SMS ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur.

Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi por kam ecur drejt tij. Unë kam konstatuar mjetin BMV X5 me targa AA801 të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan Peqin anash një restoranti. Ndalova tek mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin BMV.

Aty kam parë se mjeti BMV i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit BMV por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi, por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz.

Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit dhe kur po e fusja në makinë kam parë se ai në xhepin e djathtë kishte një armë zjarri pistoletë model izraelit Boll-5 si dhe në sediljen e parë të pasagjerit ku ai ishte ulur gjendjen pistoleta model TT të cilën unë e kam futur në brezin tim.

Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMV dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMË Nuredini para se të niseshim. Mora TT e futa në brez, mora dhe armën Izraelite e lashë në makinë. Pasi hipa Nuredinin në makinë me shpejtësi jam nisur drejt Fierit pa ndaluar në asnjë vend.

Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi. Direkt nga Elbasani kam shkuar tek shtëpia në Fier dhe me vështirësi e kam futur Nuredinin në ashensor dhe më pas tek shtëpia ku ishte e dashura e tij.

Kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur shtetasit Bledar Berdalli, dhe dy tjerët nuk i njoh me emër të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier.

Të 3 ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar. Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën TT që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se çfarë ndodhi aty” – thuhet në dëshminë e Henrik Hoxhajt. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!