EKSKLUZIVE/ “Ukraina të njohë Kosovën”, flet për Abc deputeti që doli krah shqiptarëve gjatë tensioneve me Serbinë

schedule17:50 - 9 Gusht, 2022

schedule 17:50 - 9 Gusht, 2022

Lufta me Rusinë, ka bërë që në Ukrainë të gjallërohen zërat e parë të ndryshimit, të cilët, propozojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Lexo edhe: Deputeti ukrainas dorëzon në parlament projektligjin për njohjen e Kosovës: Tani e di se kush janë miqtë e vërtetë

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili disa ditë më parë dorëzoi një draft-rezolutë në parlament, ku kërkohet që Kievi të njohë Prishtinën, ka treguar për Abc arsyet e kësaj iniciative.

“Mendoj se duhet ta njohim Kosovën, sepse nëse shikoni hartën e vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, janë po të njëjtat vende që po përkrahin Ukrainën. Kjo është bota e lirë. Është SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, në të cilën Ukraina është bërë shtet kandidat së fundmi vetëm para një muaji. Mendoj se pas 24 shkurtit, çdo gjë për gjithë botën u bë absolutisht e qartë: Në Ukrainë ne kemi një situatë tërësisht ndryshe, në Ukrainë ne kemi pushtim nga fqinji ynë, që është agresori, Rusia, dhe është absolutisht ndryshe me atë se çfarë ka ndodhur më shumë se 20 vite më parë në Kosovë ku një shtet tjetër ka kryer gjenocid”, tha deputeti për Abc.

Por cilat janë arsyet që e pengojnë Ukrainën të njohë Kosovën?

“Në Ukrainë ka vite që diskutohet për njohjen e Kosovës. Dhe arsyeja e mosnjohjes gjithnjë ka qenë fakti që kemi pasur probleme me pjesë të territorit tonë dhe Rusia po e përdor atë. Dhe kishte një brengë që Rusia mund ta përdorte paralelen mes situatës në Kosovë, Donbasit të Ukrainës dhe Krimesë, duke thënë se ‘nëse Ukraina e njeh Kosovën, i bie që Ukraina nuk duhet të jetë kundër njohjes se pjesëve të territorit tonë si shtete të pavarura, përkatësisht Donbasit dhe Krimesë”, u shpreh Goncharenko.

I pyetur nëse Rusia ka nxitur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, deputeti ukrainas shprehu për ABC të njëjtin mendim me zyrtarët e Prishtinës: Putin kërkon konflikte të reja në Ballkan.

“Rusia do një konflikt të ri në rajon, do sa me shumë  luftë në botë. Dhe jam absolutisht i sigurt se Moska po bënë çmos për të krijuar tensione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë ku mund të ketë ndikim”, tha ai.

Lexo edhe: “Ne duhet të mbrojmë kosovarët”, deputeti ukrainas: Nëse Serbia pushton Kosovën, trupat tona janë gati të veprojnë në terren

Rezoluta për njohen e Kosovës pritet të votohet në ditët në vijim, teksa deputeti propozues shprehet optimist se do të sigurojë mbështetjen edhe ligjvënësve të tjerë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!