Nga Liarda Kondakçiu
“Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qan”, e kush nuk e ka dëgjuar qoftë edhe një herë këtë refren?
“Rrugë”, “Shi bie në Tiranë”, “Si muzika”, apo “Një ditë do të bëhet më mirë”, janë disa nga këngët që kanë shënuar historinë e muzikës shqiptare. Ndonëse këndohen nga të gjithë, pas këtyre hiteve legjendare fshihet një emër, Fitnete Tuda.
https://www.youtube.com/watch?v=c-gTL65MwlE
Pas shumë çmimeve të fituara në festivale të ndryshme shqiptare, ajo ka vendosur të rikthehet në edicionin e këtij viti të “Këngës Magjike”. Mirëpo, edhe pse është rikthyer në skenë pas 18 vitesh, Fitnete ka zgjedhur sërish t’i surprizojë të gjithë.
Në një intervistë ekskluzive për abcnews.al, këngëtarja është rrëfyer si kurrë më parë, duke shpresuar se “Kur buzëqesh” të këndohet pas shumë vitesh si “Shiu”.
Intervista e plotë:
Pas 18 vitesh rikthehesh ne skenë, pse pikërisht zgjodhët këtë moment dhe Festivalin “Kënga Magjike”?
Ashtu rrodhën gjërat në mënyrë spontane, nuk është se kisha planifikuar këtë rikthim. Në këtë mars, bëhet një vit nga paraqitja e pandemisë dhe karantinës, ka qenë një vit i vështirë për të gjithë ne dhe vazhdon të jetë ende! Të gjithë ne u përballëm më diçka të panjohur më parë. E gjithë kjo situatë e krijuar ishte një reflektim për jetën, dashurinë, familjen, fëmijët të mirën edhe kënga lindi kështu.
Si lindi kënga “Kur buzëqesh”? A ka një mesazh specifik apo dedikim personal?
Po ndjenjat janë individuale, personale, janë njerëzore. Një ditë u ngjita lart në papafingo, ku janë dhomat e fëmijëve, nga dritarja në çati, shihej qielli i kaltër pa re dhe me diell, derisa ata po flinin… Ashtu lindi refreni i këngës “Kur buzëqesh”. E kam krijuar me shumë dashuri këtë këngë, ndoshta më shumë se çdo këngë tjetër. Dikush më tha se kënga është e thjeshtë, po e di, edhe dashuria është e thjeshtë.
Për ju është hera e parë që merrnin pjesë në një garë, në bashkëpunim me djalin tuaj, si ndiheni? A keni emocione të shumta krahasuar me garat e mëparshme?
Po është kënga e parë e imja e realizuar duet me djalin tim Donin, prandaj ndjenjat, emocionet janë më të bukura. Nuk e kisha menduar se një ditë do të këndoja në skenë me djalin tim. Doni tani është 13 vjeç është adoleshent dhe kishte momente dyshuese, herë thoshte këndoj, apo, jo nuk dua të këndoj! Edhe unë nuk desha t’ia imponoj, deri në momentin e fundit kur këngën regjistruam në studio.
Çfarë prisni nga “Kënga Magjike”? A mendoni se do të shpalleni fituese?
Kënga ime “Shi bie në Tiranë” nuk ka fituar çmim, por ajo vazhdon të këndohet pas kaq vitesh, uroj që edhe refreni këngës “Kur buzëqesh” të këndohet si ajo e shiut.
Knga është publikuar më 21 mars te E diela Shqiptare, pra në ditën e parë të pranverës dhe uroj të çelë si një lule e pranverës. Gjatë atyre 3 minutave sa zgjat kënga, të sjellë ngrohtësinë e diellit dhe aromën e pranverës.
Krahas muzikës, me çfarë merreni në jetën tuaj private?
Unë jam shumë e lidhur me natyrën, më pëlqen të kaloj sa më shumë kohë në natyrë, t’i kaloj pushimet në vendlindjen time në Strugë, buzë liqenit dhe Drinit të Zi. Po ashtu i dua shumë lulet dhe kopshtin e shtëpisë ku kaloj shumë kohë.
Të mos harroj dua të shtoj edhe diçka të rëndësishme në fund, gjatë pandemisë kam pasur disa intervista për disa medie në Shqipëri, pra gazetarët nuk më kanë lënë të qetë, në kuptimin pozitiv dhe dua t’i falenderoj ata dhe publikun që më rikthyen në skenë! /abcnews.al