EKSKLUZIVE: Tirana nuk ndalet, marrëveshje me futbollistin e Shqipërisë U21

schedule10:55 - 22 Gusht, 2020

schedule 10:55 - 22 Gusht, 2020

Tirana nuk e ka mbyllur merkaton dhe në kryeqytet presin edhe një mbrojtës, veç tre afrikanëve që luajnë në mesfushë e lart. Abcnews.al mëson se kampionët e vendit kanë arritur marrëveshjen me Shaqir Tafën, 21-vjeçarin e Shpresave kuqezi që në tre sezonet e fundit është aktivizuar në Serie C në Itali.

Tafa luan në qendër të mbrojtjes dhe me Shqipërinë U21 numëron 14 ndeshje, 13 prej të cilave si titullar. Sikurse kuptohet, ai ka qenë një nga lojtarët kryesorë të kuqezinjve të vegjël dhe tani është gati të lërë Italinë dhe të luajë në vendin tonë.

Sezonin e fundit Tafa ishte pjesë e Sicula Leonzio dhe luajti në 13 ndeshje. Më parë, mbrojtësi ka luajtur edhe me Cuneo e Monopoli, skuadra që e kishin marrë në huazim nga Palermo që zotëronte kartonin e të riut.

Tirana ka qenë aktive gjatë kësaj vere dhe për repartin e mbrojtjes Tafa do të jetë afrimi i katërt. Më parë kanë nënshkruar dhe debutuar lojtarë si Ardit Toli, Kristijan Toshevksi dhe Filip Najdovski. /abcnews.al