EKSKLUZIVE: Superiorja “josh” ish-lojtarin e Sevilla dhe Xanthi, Longo e pret te Kukësi

schedule16:19 - 5 Gusht, 2021

schedule 16:19 - 5 Gusht, 2021

Pablo De Lucas, ky është futbollisti që trajneri Diego Longo pret te Kukësi. Mesfushori, i cili mbush 35 vjeç në muajin shtator, kërkohet me ngulm nga trajneri italian i verilindorëve, sikurse mëson gazetari i abcnews.al, Vladimir Prenga.

Pavarësisht moshës së tij, Longo është i bindur në cilësitë e De Lucas dhe beson shumë se mund ta ndihmojë Kukësin në arritjen e objektivave sezonin e ardhshëm.

Deri më tani te Kukësi merkaton e kanë bërë drejtuesit dhe kjo është kërkesa e parë e Longo, i cili pret edhe përforcime të tjera në vazhdim.

 

KARRIERA E SPANJOLLIT – Pablo De Lucas në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e Sevilla në LaLiga, çka tregon për vlerat e tij. Më pas i është bashkuar Sporting Gijon dhe Murcia.  Me këta të fundit ka luajtur 25 ndeshje në Segunda Division.

Spanjolli në vendlindje është aktivizuar deri në vitin 2013, duke kaluar tek Alaves, Rayo Vallecano dhe Salamanca. Në verë ai pranoi ofertën e rumunëve të Petrolul Ploesti, ku ishte titullar fiks për dy sezone futbollistike.

De Lucas më pas u bë pjesë e Beitar Jerusalem në Izrael, ku luajti për 6 muaj. Sërish në Rumani, këtë herë me Viitorul. 13 ndeshje dhe 2 gola të shënuar, ndërkohë që në verën e vitit 2016 nuk mund t’i thoshte jo grekëve të Xanthi.

Për tre vite e gjysme De Lucas u aktivizua në Superligën e Greqisë. Rumania ishte stacioni i fundit për mesfushorin, i cili në janar të vitit 2020 veshi fanellën e Voluntari. Spanjolli deri në muajin mars ka qenë aktiv, pjesë e Arges në Rumani, dhe tani mund të provojë të luajë në Superiore. /abcnews.al

 

Skeda e mesfushorit spanjoll