Kukësi ka vetëm një objektiv në merkato. Trajneri Shpëtim Duro pret një sulmues nga drejtuesit, të cilët po shohin me kujdes tregun e huaj. Alternativat në vend mungojnë, ndërkohë që në zyrat e klubit kanë mbërritur sugjerime të ndryshme nga menaxherë.
Aktualisht në kampin verilindor kanë një alternativë serioze, për të cilën po mendohen. ABC News mëson se Ellinton Antonio Costa Morais, i njohur me emrin sportiv Liliu, u është sugjeruar kuksianëve, si një opsion për Vasil Shkurtajn.
Liliu është një sulmues me një karrierë të pasur, pasi është aktivizuar edhe në elitën e futbollit belg me Westerlo, duke shënuar 9 gola në tre sezone. Hapësirat nuk është se i ka patur të shumta, ndërkohë që më pas është kthyer të luajë në Brazil.
Prej vitit 2013 është aktivizuar në Europë, me skuadrat qipriote si Ethnikos Achna dhe Nea Salamis, si dhe Birkirakara e Gzira United në Maltë. Në vitin 2017 kaloi në Estoni, aty ku ka fituar titullin kampion dhe Superkupën me Nomme Kalju.
Në vitin 2018 ai ka fituar edhe “Këpucën e Artë”, me 31 gola të realizuar. Gjatë eksperiencës në Estoni ka shënuar rregullisht, duke gjetur rrugën e rrjetës 56 herë në 68 ndeshje. Një mesatare e mirë, edhe pse jo në një kampionat të nivelit të lartë.
Liliu së fundmi ishte pjesë e Brommapojkarna në ligën e dytë suedeze, ku shënoi një gol. Aty luajti vetëm tetë takime, por titullar e ka nisur në dy ndeshje dhe akumuloi 227 minuta. Me ofertën e duhur, Kukësi do të ishte një zgjedhje e mirë për sulmuesin 29-vjeçar. Sigurisht duhet bindur edhe Duro që braziliani i ka cilësitë e duhura për skuadrën e tij. /abcnews.al