Sherif Kallaku do të luajë sezonin e ardhshëm në Poloni. Moderatori i emisionit “Pressing” në ABC News, Gerti Çarçani, ka zbuluar në hyrje të emisionit se fantazisti i Teutës do të luajë me skuadrën e Slask. Ndër të tjera mësohet se mesfushori do të nënshkruajë për dy vite dhe mbetet të zyrtarizohet gjithçka.
Kallaku rinovoi me Teutën pak kohë më parë dhe durrsakët kanë pranuar ofertën e polakëve. Momentalisht nuk zbulohen shifra, por ajo që dihet ka të bëjë me interesimin e shumë skuadrave për shërbimet e mesfushorit, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Shqipëria U21.
Kallaku ka qenë një nga liderët e Teutës këtë sezon, madje është shënuesi më i mirë i skuadrës me nëntë gola. Dëshira e tij për të luajtur jashtë vendit po bëhet realitet dhe Slask do të jetë një stacion i rëndësishëm në karrierën e mesfushorit.
Klubi polak nuk është i panjohur në vendin tonë, pasi më parë aty është aktivizuar edhe Sebino Plaku. Në shkuarën në kampionatin polak kanë shtegtuar emra si Armando Sadiku e Besnik Hasi, në një klub të madh si Legia e Varshavës.
KOMENTI I SHKËMBIT – Në lidhje me transferimin e Kallakut foli edhe Bledi Shkëmbi, i cili e ka pasur nën urdhrat sezonin e shkuar në drejtim të Teutës. “Patjetër lë boshllëk Kallaku. Më bëhet qejfi që do të luajë në ligë më të mirë. Mund të luante në kampionat më të fortë, por më mirë të ngjiten shkallët një e nga një.
Ndoshta Teutës i ikën lojtari më i mirë në anën teknike. Në pozicionin që ka është lojtari më i rëndësishëm për fazën sulmuese, për organizimin, driblon. Do isha i kënaqur edhe nëse do të isha pjesë e Teutës. Është mirë për lojtarin nëse shitet. Ka shumë kohë që e vëzhgojnë. Ka pak lojtarë me të dhënat e Kallakut. Stafa i Tiranës më ka pëlqyer. Teuta ka Vilën, Beqajn, Jazexhiun dhe Kapllanin. ”, tha Shkëmbi gjatë emisionit. /abcnews.al