Samsunspor “mësyn” te Partizani. Erald Çinari nesër pritet të zbarkojë në Turqi dhe të zyrtarizohet pjesë e klubit që garon në ligën e dytë turke.
Nga “Demat e kuq” po tenton të marrë edhe dy lojtarë të tjerë, madje me njërin prej tyre gjithçka është drejt finalizimit me sukses.
Esat Mala ka marrë një ofertë konkrete dhe deri më tani është më e mira për të, sikurse mëson abcnews.al. Për anësorin interesohen edhe dy klube të tjera, por shanset janë që të nënshkruajë shumë shpejt me Samsunspor.
Veç Malës, mësojmë se klubi turk po tenton të transferojë edhe Esin Hakajn. Shkodrani i krahut të majtë të mbrojtjes është një tjetër lojtar në fund kontrate me Partizanin dhe normalisht transferimi jashtë vendit, për më tepër në një klub ku do ishte shok skuadre me Malën dhe Çinarin, do ishte lëvizja e duhur.
Klubet turke së fundmi po i hedhin sytë shumë nga Superiorja. Istanbulspor vjet mori nga Kukësi Rrocën, Abazajn dhe Ethemin, kurse më parë Menemenspor kishte transferuar nga Laçi Selmanin dhe Domgjonin. /Vladimir Prenga/ abcnews.al