EKSKLUZIVE/ Qiramarrësi ktheu vetëm një çels: Si u përgatit në katin e 9 ekzekutimi i Kastriot Reçit

schedule10:09 - 10 Janar, 2020

schedule 10:09 - 10 Janar, 2020

Qitësi profesionist që vrau në mes të Rrëshenit me vetëm një plumb Kastriot Reçin dy ditë më parë nuk ka patur asnjë shqetësim se dikush mund ta zbulonte teksa priste afrimin e objektivit të tij.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Abc News”, qitësi ka qendruar në apartamentin nr.28 të pallatit 9-katësh, prej të cilës qëlloi ndaj Kastriot Reçit.

Sipas prokurorisë, apartamenti është në pronësi të Gjergj Tomës, i cili ka deklaruar para tyre se banesën ia ka lënë me qira gjatë muajve të verës një personi të quajtur Pashk Frroku nga Klosi i Mirditës, raporton abcnews.al.

Toma ka deklaruar se për apartamentin ka marrë dy herë qira nga 15 000 lekë për muajt korrik dhe gusht dhe se i kishte dhënë qiramarrësit dy çelsa.

Më pas, Pashk Frroku ia ka dorëzuar atij vetëm një çelës duke thënë se tjetrin e kishte vëllai i tij që kishte ikur në Gjermani.

Nga ajo periudhë, sipas Gjergj Tomës apartamenti ka qenë i papërdorur, raporton abcnews.al.

Si hyri qitësi në apartament?

Siç shkruhet në dosjen hetimore, personi i dyshuar si qitësi që vrau Kastriot Reçin ka hyrë në pallatin 9 katësh në orën 06:35 minuta.

Kamerat kane fiksuar momentin kur personi në fjalë ka zbritur nga një makinë tip “Mercedes Benz” ngjyre gri. Pasi ndalon, ai ka hapur derën e djathtë të pasme të makinës dhe ka nxjerrë dy çanta.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Qitësi hyri si burrë dhe doli si grua, Abc News zbardh dosjen e prokurorisë: Si u vra Kastriot Reçi

Njëra është çantë e thjesht, kurse tjetrën prokuroria e cilëson si “çantë për mbajtjen e armëve të gjata”.

Kamerat e kanë fiksuar personin mashkull të veshur me një xhup të hapur me tegela horizontale. Pasi ka lënë personin në fjalë pranë hyrjes së pallatit, makina është larguar në drejtim të rrugës së tregut.

Pak minuta më pas ai futet në banesën nga ku edhe qëlloi duke bërë gati armën, në pritje të objektivit. Nga ky moment deri pak minuta pas orës 12:00 të mesditës, qitësi ka pritur në banesë duke vëzhguar lëvizjet para lokalit të Kastriot Reçit.

Gjatë kësaj periudhe ka pirë ujë dhe ka ngrënë disa kikirikë, të cilat më pas i ka lënë aty dhe janë sekuestruar nga prokuroria.

Kur Reçi mbërriti në rrezën e armës, qitësi ka marrë shenjë dhe me një të shtënë ka kryer porosinë duke e lënë objektivin të vdekur.

Dalja

Ora shënon 12:07 minuta dhe kamerat e sigurisë kanë fiksuar të dalë nga hyrja e pallatit një person të gjatë, me flokët e gjata bisht që largohet me shpejtësi nga zona, sërish në drejtim të tregut.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, personi ka të veshur një fustan të zi dhe poshtë tij ka të veshura tuta me viza të errëta poshtë fustanit, raporton abcnews.al.

Pas këqyrjes së rrugës nga ku mendohej se mund të ketë kaluar autori, policia ka gjetur një paruke, një kanatiere dhe një palë këpucë që mendohet se i përkasin qitësit.

Prokuroria ka marrë 8 monstra nga shtëpia prej të cilës mendohet se u qëllua Kastriot Reçi. Të gjitha ato po verifikohen nëse mund të nxjerrin ndonjë provë që të çojë në zbulimin e autorit.

Kastriot Reçi u ekzekutua dy ditë më parë në qendër të Rrëshenit teksa doli nga makina për të shkuar në biznesin e tij. Para se të futej aty, ai takon një zonjë me fëmijën e saj. Në këtë moment, qitësi qëlloi duke e lënë të vdekur në vend. /abcnews.al