Ish-mesfushori i Skënderbeut, Kwasi Sibo, arriti një kualifikim historik në Spanjë, pasi ndihmoi UD Ibizan të kualifikohet në raundin e 1/16-ve në Copa del Rey. E sikur të mos mjaftonte kjo arritje historike, shorti i ka vënë përballë Barcelonën dhe Sibo, që sezonin e shkuar luante për Skënderbeun, do të vihet përballë emrave si Lionel Messi e të tjerë. ABC News ka siguruar një intervistë ekskluzive me mesfushorin e talentuar, i cili pranoi se tashmë ka shkruar historinë me klubin e vogël spanjoll dhe është gati të luajë sfidat historike kundër Barcelonës.
– Ibiza UD arriti të sigurojë një kualifikim historik në Copa del Rey. Sa krenar jeni që jeni pjesë e një arritje kaq të madhe, si në aspektin personal, ashtu dhe për skuadrën tuaj?
“Në aspektin personal, është një ëndërr për mua që jam pjesë e një arritje kaq të madhe, për veten dhe për klubin. Ishte një nga ditët më të lumtura të jetës time dhe e futa emrin tim në historinë e klubit të Ibizas. Arritje e pabesueshme që u kualifikuam në fazën e 1/16-ve të Copa del Rey. Isha shumë krenar për veten time, krenar që isha pjesë e asaj familje që arriti diçka kaq të madhe”.
– Shorti iu ka vënë përballë Barcelonën, ndoshta klubi më i madh në historinë e futbollit. Duket si një ëndërr e bërë realitet, të luash kundër emrave si Lionel Messi, Antoine Griezmann e shumë yjeve të tjerë. Po e pret me padurim Sibo këtë ndeshje?
“Po, sigurisht që është një ëndërr e bërë realitet. Do të luaj kundër lojtarëve të mëdhenj, ashtu siç dhe ju përmendët. Jam shumë i përgatitur për këtë sfidë, po ashtu dhe skuadra. Ne jemi këtu pasi shkruam historinë, duam të shkruajmë dhe një tjetër histori për veten tonë, për tifozët, për qytetësin. Të gjithë po e presin me padurim këtë sfidë. Fokusi ynë për momentin është te ndeshja e nesërme ndaj Las Palmas dhe do t’i marrim ndeshjet një e nga një”, përfundoi ish-mesfushori i Skënderbeut./abcnews.al