EKSKLUZIVE/ Kurti dhe Vuçiç, pro normalizimit të marrëdhënieve, janë gati të takohen rregullisht

schedule19:44 - 18 Gusht, 2022

schedule 19:44 - 18 Gusht, 2022

Nga Erisa Zykaj-Bruksel

Për Bashkimin Europian raundi i tretë i nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd nuk ka mbaruar dhe nuk quhet i mbyllur deri sa të gjendet marrëveshje për çështje që kanë marrë urgjencë nga aktualiteti i tensionuar në veri tê Kosovës.

Bashkimi Europian po qëndron dhe do jetë në kontakt me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë me shumë kanale komunikimi. Burime zyrtare të Bashkimit Europian kanë dhënë detaje mbi takimet dypalëshe dhe trepalëshe që janë zhvilluar midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrel.

Këto burime kanë konfirmuar për ABC, se pjesa e parë e takimeve i është përkushtuar vizionit që kanë shpalosur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbi domethënien e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Edhe pse ka diferenca midis vizioneve, Bashkimi Europian e konsideron me vlerë këtë shpalosje të vizionit të dy palëve, pasi ky shkëmbim vendos piketat e një tabloje të madhe mbi atë, çfarë duhet të përmajë marrëveshja përfundimtare gjithpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Të dy liderët kanë diskutuar se çdo të thotë normalizimi i marrëdhënieve për ta, cilat janë elementet që duhet të diskutohen për të arritur aty. Eshtë hera e parë që zhvillohet një diskutim i tillë dhe ishte një diskutim i mirë” janë shprehur këto burime.

Sipas tyre, do të ishte naive që të pretendohej se vizionet e të dyja palëve konvergojnë. Ata kanë më shumë jodakortësi sesa dakortësi midis tyre, por atmosfera ishte konstruktive dhe ata e dëgjuan njëri tjetrin me shumë vëmendje” kanë deklaruar burime zyrtare të Bashkimit Europian.

Një tjetër lajm inkurajues që vjen nga këto burime ka të bëjë me faktin, se edhe kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç janê shprehur të gatshëm që të takohen rregullisht në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, madje duket se të dy liderat favorizojnë idenë e takimeve çdo muaj.

Pikat që u diskutuan gjatë takimit
Pjesa e dytê e diskutime lidhet me axhendën, ku pika kryesore ka qenë çështja e njohjes së ndërsjellë së targave të automjeteve gjatë kalimit të tyre nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas. Në këtë pikë nuk ka marrëveshje, por palët janë të vetëdijshme për përgjegjësinë që kanë për të gjetur një marrëveshje sa më shpejt. Sipas këtyre burimeve, marrëveshja për targat e automjeteve duhet të arrihet para 1 shtatorit, gjë që e la të kuptohet edhe shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrel kur deklaroi se ka ende kohë dhe se ai nuk të kursejë përpjekjet për një marrëveshje të tillë. Sipas Josep Borrel, çështja bëhet më urgjente, pasi Komuniteti Ndërkombëtar nuk konsideron se është koha për të përshkallëzuar tensionet midis dy vendeve, por për t’i ulur ato, ndaj duhet arritur marrëveshje.

Një pikë tjetër e axhendës ka qenë çështja e energjisë, ku sipas burimeve zyrtare europiane palët janë shumë pranë arritjes së zbatimit të udhërrêfyesit për energjinë. Sipas vlerësimit që bëhet nga pala europiane, nuk ka elemente që shkaktojnë jodakortësi midis palëve, ndaj pritet që me çështjen e energjisë të ecet shpejt. Delegacioni serb ka ngritur çështjen e krijimit të asosiacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu si dhe pala europiane, por qëndrimi i Kosovës mbetet i pandryshuar.

Progres është shënuar në çështjen e personave të pagjetur. Sipas burimeve europiane është për të ardhur keq që kjo çështje ka qëndruar në hije edhe pse është shpenzuar një vit mbi hartimin e dokumentit mbi personat e pagjetur, duke qenë se vëmendja kryesore i ka shkuar arritjes së marrëveshjes për targat dhe liçencat e automjeteve.

“Eshtë bërë një hap përpara, por nuk kemi finalizuar ende marrëveshjen” kanë thënë këto burime. Bashkimi Europian pritet të komunikojë në ditët në vijim për qëndrimin e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!