EKSKLUZIVE/ Flet vajza që strehoi Orgest Bilbilin: Shtëpinë e mora me të dashurin, takoheshim kur vija nga Shkodra

schedule14:29 - 21 Prill, 2020

schedule 14:29 - 21 Prill, 2020

Tirana u trondit mesditën e 10 prillit, ku fillimisht në ekranin e Abc News dhe më pas në të gjitha mediat shqiptare u shfaqen pamjet e dy personave të shtrirë në rrugë për shkak të plagëve të marra me armë zjarri.

Disa minuta më vonë vetë kreu i Policisë së Tiranës Rebani Jaupaj shpjegoi se bëhej fjalë për kapjen e një personi të shumë kërkuar si Orgest Bilbili, i cili u plagos nga një efektiv i “Shqiponjave” për vetëmbrojtje pasi e kishte kërcënuar me armë.

Pas verifikimeve Oficerët e Policisë Gjyqësore konstatuan se Orgest Bilbili jetonte bashkë me Anterio Kaloshin në një apartament me qira në rrugën “Sitki Çiço” në kryeqytet.

Më vonë u zbulua se kontrata e qirasë për këtë apartament nuk ishte firmosur nga Kaloshi dhe aq më pak nga Bilbili, por nga një vajzë, e cila ishte e dashura e njëri prej tyre, pikërisht Anterio Kaloshit.

Policia mori menjëherë në pyetje të renë për të mësuar rrethanat e raportit mes tyre, dëshmi të cilën e ka siguruar ekskluzivisht për abcnews.al gazetarja Xhensila Kodra.

Siç raporton gazetarja, e reja me emrin Jurgena Xh. ka pranuar para Oficerëve të Policisë Gjyqësore se ishte në një raport intim me Anterio Kaloshin prej disa kohësh, por se nuk kishte dijeni për Orgest Bilbilin.

Jurgena, me origjinë nga Shkodra tregon se Anterio Kaloshin e ka njohur në Facebook me emrin “Mario” dhe gjithnjë e ka thirrur kështu duke mos e ditur emrin e tij të vërtetë.

Në dëshminë e siguruar nga abcnews.al ajo ka thënë:

Para disa muajsh jam njohur në rrjetin social Facebook me Anterio Kaloshin. Nuk e dija identitetin e tij të saktë. Ai më është prezantuar me emrin Mario.

Në Tiranë vija shpesh dhe shtëpinë e kemi gjetur marrë me qira për tu takuar me Anterion. Nuk e dija dhe nuk kam patur asnjë dijeni për personin që ju po më pyesni (Orgest Bilbili sh.r).

Këtë person as nuk e njoh dhe as nuk e kam takuar ndonjëherë. Edhe me Marion (Anterio Kaloshi) nuk kemi biseduar ndonjëherë për shoqërinë që ai ka patur me Orgestin.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se e reja nuk është proceduar pasi Anterio Kaloshi nuk kishte qenë më parë në kërkim më parë, ndërsa nuk vërtetohet se ka patur dijeni për Orgest Bilbilin.

Dy të rinjtë (Anterio dhe Jurgena Xh.) takoheshin në apartamentin e marrë me qira prej tyre kur ajo vinte nga Shkodra në Tiranë dhe nuk jetonte vazhdimisht aty.

Policia gjeti në shtëpinë e marrë me qira me firmën e Jurgena Xh. një pasaportë të Anterio Kaloshit, 900 euro si edhe një armë që dyshohet se i përket Kaloshit.

Ndërkohë, në momentin që u kap në rrugë, Orgest Bilbilit iu sekuestrua një armë dhe një dokument i falsifikuar policie.

Bilbili dyshohet se është autori i disa vrasjeve në Lushnje si edhe krimeve të tjera të rënda. Një ndër ngjarjet e bujshme që ai dyshohet se ka marrë pjesë është ajo e tetorit 2017 e njohur si “masakra e Lushnjes” ku humbën jetën dy persona dhe shënjestër ishte nipi i Aldo Bares. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!