EKSKLUZIVE: Dede e mbyll me Shqipërinë U19, Tirana e pret krahëhapur

schedule21:45 - 12 Nëntor, 2020

schedule 21:45 - 12 Nëntor, 2020

Nevil Dede e ka rrugën të hapur. Ish-mbrojtësi ishte në një takim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të diskutuar mbi marrëveshjen që ka si trajneri i Shqipërisë U19. ABC mëson se është gjetur gjuha e përbashkët për të ndërprerë bashkëpunimin.

Dede kishte marrë një ofertë nga Tirana pasditen e sotme, pasi kampionët në fuqi vendosën të shkarkojnë nigerianin Emmanuel Egbo. Para se t’i thoshte “po” bardhebluve, ai shpejtoi të zgjidhjet kontratën me FSHF-në.

Takimi ka përfunduar dhe tashmë mbetet vetëm që Tirana të dalë me një komunikatë dhe të bëjë me dije rikthimin e një djali të saj në pankinë. Presidenti Refik Halili ka konfirmuar për ABC marrëveshjen me Deden.

E SHKUARA – Dede e ka drejtuar Tiranën dy herë në të shkuarën. Për herë të parë pranoi ofertën në tetor të vitit 2010, ndërkohë që qëndroi për katër muaj në krye të bardhebluve. Në shkurt të vitit 2013 45-vjeçari u rikthye te Tirana, duke qëndruar deri në tetor të atij viti në drejtimin e kampionëve në fuqi të vendit.

Veç punës me kombëtaret e moshave, Dede ka drejtuar edhe skuadra si Laçi, Kastrioti dhe Luftëtari. Si lojtar, sikurse edhe dihet, ai ka qenë kapiten i Tiranës dhe ka dalë kampion tetë herë. Gjithashtu ai ka triumfuar pesë herë në Kupën e Shqipërisë dhe 6 herë në Superkupë, duke e shkruar emrin e tij në historinë e klubit bardheblu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!