EKSKLUZIVE/ Befasohet Kukësi, “arratiset” afrimi i fundit i merkatos

schedule09:39 - 18 Nëntor, 2020

schedule 09:39 - 18 Nëntor, 2020

Alesio Abibi u largua nga Kastrioti pa luajtur asnjë ndeshje, kurse Winnful Cobbina u shit nga Tirana një ditë më parë në Egjipt. Lëvizjet në dalje në Superiore kanë nisur dhe klubi i radhës që “preket” është Kukësi, pa përfituar asgjë.

Sadik Vitija, mbrojtësi i djathtë që në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e Zvicrës U17, është “arratisur”. Abcnews.al mëson se që para ndeshjes me Partizanin ai nuk është parë më në stërvitje dhe u mendua se mund të kishte ndonjë dëmtim.

22-vjeçari thjesht është larguar dhe në klubin e Kukësit nuk mund të të japin një sqarim të saktë, edhe pse ishte kuptuar që në fillim që për të do të ishte e vështirë të qëndronte larg familjes. Kështu ai ka vendosur të lërë Kukësin, ndërkohë që kishte qenë në stol në sfidën kundër Tiranës në Korçë.

 

Vitija kishte firmosur për dy vite me verilindorët, sipas njoftimit të mëposhtëm, bërë para një muaji: “Sadik Vitija është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mbrojtësi shqiptar ka firmosur ditën e fundit të merkatos kontratën me klubin tonë për 2 sezonet e ardhshme, duke u bërë futbollisti më i ri i Kukësit.

Mbrojtësi 22-vjeçar vjen nga kampionati zviceran i futbollit dhe është prezantuar sot në zyrat e klubit, teksa do të bashkohet me ekipin në stërvitje sot. Vitija ka luajtur me ekipet zinxhir të moshave të Zvicrës U15, U16, U17, U18, U19, U20. Në kampionatin zviceran, Vitija ka luajtur me Zurich, Vaduz e Schaffhausen”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!